Von der Leyen: Moska duhet të ndjekë fjalët me vepra

Presidentja e Komisionit Evropian thotë se BE-ja do të jetë vigjilente derisa fjalët e Moskës të reflektohen me veprime në terren.
Ursula von der Leyen thotë se “ne dëgjojmë pretendime nga Rusia për tërheqjen e trupave, por nuk kemi parë asnjë shenjë deri më tani të de-përshkallëzimit në terren”.
“Përkundrazi, ne shohim se ndërtimi vazhdon,” shton von der Leyen.
Komentet e saj, të bëra përpara një takimi me kryeministrin çek Petr Fiala, i bëjnë jehonë shqetësimeve të ngjashme të shprehura nga SHBA dhe MB se Rusia po vazhdon të vendosë trupa në rajonin kufitar.
Shefja e BE-së thotë se beson se ka ende një rrugë drejt një zgjidhjeje diplomatike me Moskën, por deri atëherë “ne nuk do të heqim mendjen”.
“Ne shpresojmë për më të mirën, por jemi të përgatitur për më të keqen”, thotë ajo.