E Diel, 1 Nëntor 2026

Von der Leyen: Nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi sot nevojën që Shqipëria të ruajë fokusin te reformat, duke nënvizuar se procesi i integrimit evropian kërkon ende punë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen tha se tashmë është e rëndësishme që Shqipëria të vijojë me reformat në të gjithë kapitujt e hapur të negociatave.

“Megjithatë, tani është koha për të ruajtur këtë fokus që kemi, sepse ka ende punë përpara. Kjo më sjell te mesazhi im i dytë”, u shpreh ajo.

Von der Leyen përmendi fushat ku nevojiten reforma të mëtejshme drejtësinë, kuadrin zgjedhor dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur. Ju i dini cilët janë, drejtësia, kuadri zgjedhor, mbrojtja e mjedisit, që është natyra mahnitëse, marramendëse e Shqipërisë”, deklaroi Presidentja e KE-së.

Ajo theksoi se, krahas miratimit të reformave, rëndësi të veçantë ka zbatimi i tyre i plotë.

“Miratimi i reformave është i rëndësishëm, por është po aq e rëndësishme që këto reforma të zbatohen tërësisht, plotësisht, duke siguruar që ato të sjellin ndryshime të vërteta për qytetarët e Shqipërisë”, tha Von der Leyen.

Sipas saj, për këtë nevojitet angazhim përtej ndasive politike dhe një dialog i vazhdueshëm me shoqërinë.

“Kjo kërkon angazhim të vërtetë përtej ndasive politike, si dhe një dialog të fortë e të vijueshëm, të vazhdueshëm me shoqërinë, për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shoqërisë”, theksoi ajo.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›