Vota e diasporës, Balla: Do të sigurojmë 84 mandate për të bërë reforma drejt BE-së

TIRANË, 17 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, njëherësh drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, shprehu sot bindjen se “bashkë me votën e diasporës PS-së do të ketë 84 mandate për të bërë reforma që integrojnë vendin në Bashkimin Europian”.
Gjatë fjalës në Kuvend ku po diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Balla u shpreh se këto janë zgjedhjet e para ku diaspora voton.
“Ne do të kemi 84 mandate për të bërë reforma që të mos mbetemi peng i votave tuaja për të përmbushur fazën përfundimtare të integrimit në BE. Jam shumë i sigurt se diaspora do t’i japë PS-së 84 mandate për të bërë reforma, se për të qeverisur na i ka dhënë me kohë”, tha Balla.
Balla falënderoi mbi 180 mijë shqiptarë jashtë vendit që kanë aplikuar për t’u regjistruar, ndërsa inkurajoi edhe 30 mijë e më shumë shtetas që iu është refuzuar aplikimi që ta ribëjnë.
“Kam pasur bindjen prej ditës së parë se numri i shtetasve të regjistruar do të jetë diku te 200 mijë në këto zgjedhje. Është një numër i konsiderueshëm, një hap i parë i mirë për t’u përshëndetur ndërsa kemi edhe 2 javë kohë deri në 4 mars. Shfrytëzojeni këtë kohë për ta rritur numrin e bashkatdhetarëve tanë që marrin pjesë si votues nga jashtë. Po ashtu ta përshëndesin edhe propozimin dhe ta votojmë të gjithë së bashku për të zgjeruar afatin e regjistrimit, me regjistrimin e koalicioneve, partive dhe kandidatëve për t’i lënë sa më shumë kohë postës”, tha Balla.
Po ashtu, Balla theksoi se është e pamundur dhe në asnjë vend të botës nuk votohet me dokumente të një shteti tjetër.
“Ne jemi një shtet prej vitit 1912. Jemi krenarë që kemi bërë hapa të konsiderueshëm edhe sa i përket integritetit dhe transparencës së proceseve zgjedhore, falë një marrëveshje të përbashkët të vitit 2008 sa i përket reformës zgjedhore. E kemi sanksionuar qartazi se në Republikën e Shqipërisë mund të marrësh pjesë në zgjedhje me dokumente biometrikë. Por i takon autoritetit që organizon zgjedhjet të shprehet sa i përket kësaj çështje”, shtoi Balla.
/r.e/a.f/