Vota e diasporës, PS: Votim me postë

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, në një prononcim për mediet tha sot se votimi i diasporës nuk ka pse të jetë ndryshe nga votuesit në vend.
Gjiknuri, në një deklaratë për mediet, në përfundim të punimeve të grupit të punës për “Reformën Zgjedhore”, që u mblodh sot në Kuvend, u shpreh se votimi i diasporës duhet të jetë me postë.
“Platforma e Komisionerit shkon drejt votimit në distancë, në mënyrë elektronike. Nëse shkojmë drejt votimit elektronik në distancë, hajde të shkojmë dhe ta bëjmë për të gjithë shqiptarët. Pse duhet të ketë diskriminim për ata që votojnë brenda dhe për ata që votojnë jashtë? Përse duhet të harxhojmë miliona euro për fletë votimi, komisionerë, numërues, kur u zgjidhka kaq kollaj, përmes telefonit, pc, dhe jo përmes makinave offline?” – tha Gjiknuri.
Sipas deputetit të Partisë Socialiste një tjetër element është dhe siguria e votimit në distancë.
“KQZ bëri një propozim teknik, ku ka futur shumë elementë të votimit elektronik. Votimi elektronik në distancë ka shumë pikëpyetja nga pikëpamja e integritetit. Nëse do shkohet në votimin elektronik në gjithë Shqipërinë, kjo është një çështje tjetër, siç dhe eksperienca ndërkombëtare sugjeron, votimi elektronik do bëhet pjesor. Varianti më i ndjeshëm dhe potencial mbetet variant i votimit me postë”, tha ai.
“PS është me parimin që ai që jeton jashtë vendit, i cili i nënshtrohet dy-tre hapave normalë verifikues që kanë të bëjnë me identitetin dhe adresave të tij, dhe nëpërmjet një sistemi të besueshëm postar të mund të votojë”, tha Gjiknuri.
Në një prononcim për mediet, në përfundim të punimeve të Komisionit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi shpjegoi qëndrimin e tij mbi çështjen e votimit elektronik.
“Kishte dy komponentë. Komponenti i parë lidhje me procedurat e regjistrimit të votuesve nga jashtë nëpërmjet një aplikacioni apo portali të posaçëm që administrohej nga KQZ dhe komponenti i dytë kishte të bënte me mënyrën e votimit”, tha ai.
“KQZ propozon që votimi të bëhet me elektronikë, ose me postë. Periudha e votimet nga jashtë të zgjasë disa ditë para datës së zgjedhjeve brenda vendit. Votuesi nga jashtë do mund të votojnë në aplikacion disa herë, por numërohet vetëm vota e fundit”, theksoi Celibashi.
/a.f/r.e/