E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vota e diasporës e garantuar”, Celibashi: Fleta e votimit për emigrantët dërgohet javën e parë të prillit

Brenda datave 8-11 prill do të shpërndahet fleta e votimit për të gjithë emigrantët shqiptarë në diasporë që janë regjistruar elektronikisht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit.

“Do të shohim si shkon procesi i regjistrimit e miratimit të listave shumëemërore. Nëse ky proces shkon normalisht ne midis fundit të javës së parë të prillit dhe javën e dytë të prillit do të dërgojmë fletët e votimit dhe dokumentacionin zgjedhor për votuesit nga jashtë. Pra synojmë që mes datës 8- 11 prill të përfundojmë procesin e dërgimit të fletëve të votimit nga jashtë. Në këtë mënyrë votuesit kanë kohë për të plotësuar dhe kthyer mbrapsht në KQZ. Deri në fund të javës tjetër do të kemi përfunduar procedurat që lidhen me operatorin e shërbimit postar. Do të përzgjedhim një prej operatorëve të njohur ndërkombëtarë e do të kërkojmë që dërgimi dhe kthimi i fletës së votimit të jetë ekspres dhe i gjurmueshëm”, tha kreu i KQZ, Ilirian Celibashi.

Celibashi garantoi siguri për votën e diasporës.

“Do të ketë evidenca që vota në një rast të caktuar është pasojë e shitblerjes, intimidimit apo demonstrimit nga dikush të votës në mënyrë publike se për kë ka votuar do të ketë pasoja dhe të karakterit penal. Nuk është kërcënim por është ajo çfarë parashikon ligji. Ka pak vend për të pasur frikë për integritetin e votës nga jashtë”, tha Celibashi.

Por a kanë një mundësi të dytë për 48 mijë aplikantët e refuzuar?

“Jo nuk mund të bëhet asgjë.  Pas datës 9, ka 48 orë kohë për saktësim adresave vetëm për ata që janë regjistruar. Në datën 9 mars shpallet lista paraprake. Nëse shikon pasaktësira lidhur me adresën, qytetari jashtë Shqipërisë mund të paraqesë kërkesë për të saktësuar adresën”, sqaroi kreu i KQZ.

Më 12 mars do të jetë afati i fundit për dorëzimin në KQZ të listave shumëemërore të kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›