Vota e diasporës, zëdhënësja e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”: Kemi dorëzuar 21 mijë firma në KQZ, por s’ka vullnet politik

Garantimi i votës së diasporës është një nga kërkesat e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, për të cilën kanë dorëzuar edhe 21 mijë firma në Komision Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
E ftuar në studion e RTSH24, zëdhënësja e kësaj lëvizje, Edona Haklaj u shpreh se ata shohin një mungesë të vullnetit politik për të arritur një marrëveshje në mënyrë që emigrantët të ushtrojnë këtë të drejtë kushtetuese.
“Kemi mbledhur 21 mijë nënshkrime dhe i kemi depozituar në KQZ dhe pas verifikimit duhet të kalojën në parlament ku deputetët e kanë për detyrë të shprehen me votë. Që në nisje të misionit tonë në shtator të 2023, kemi treguar se ajo që kërkojmë është vota e emigrantëve dhe hapja e listave. Ne i kemi dorëzuar projektligjet tona deputetëve, por asnjëri nuk i ka marrë parasysh dhe nuk i ka futur në seancë dhe sipas ligjit ne kaluam në fazën e dytë për marrjen e nënshkrimeve. Kërkojmë votën e emigrantëve dhe hapjen e listave, sistemin proporcional kombëtar. Shohim një mungesë vullneti politik apo edhe frikë nga të dyja palët për të krijuar atë marrëveshjen e qartë që duhet për ta miratuar votën e emigrantëve si një e drejtë kushtetuese”, u shpreh ajo.
Po ashtu Haklaj deklaroi se shumë shpejt kjo nismë do të fillojë edhe procedurat për t’u regjistruar si parti politike dhe do të jetë një alternativë për qytetarët në zgjedhjet e vitit 2025.
/rtsh.al/