Vota qytetare kundër Berishës, sfidë për qeverinë e re
Nga Genc Mlloja
Si asnjëherë tjetër më parë në 15 zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri pas vendosjes së pluralizmit dy dekada më parë harta e Shqipërisë na paraqitet pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 në ngjyrën mavi nga jugu në veri duke i lënë vend simbolik, në ndonjë cep të vogël si në Kukës për shembull, ngjyrës blu. I përfaqësuar nga mavija koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE) në boshtin e të cilit qëndrojnë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka fituar dukshëm shumicën edhe në zona si Shkodra të konsideruara bastione historike të Partisë Demokratike dhe Kryeministrit Sali Berisha.
Në një shkrim të botuar në disa media shqiptare më 22 qershor, qe ishte e shtuna e heshtjes elektorale një ditë para zgjedhjeve, shënoja ndër të tjera se ajo ditë duhet të ishte ditë reflektimi për shqiptarët se në fund të fundit fjala e tyre e kthyer në votë ka rëndësi njëherë në katër vjet kur klasa politike ka nevojë për mbështetjen e tyre.
Dhe çfarë po tregojnë rezultatet e së dielës së 23 qershorit është fort kuptimplotë: pësimi i klasës politike shqiptare nga sëmundja fatkeqe e harresës – kur vjen në pushtet jo vetëm harron shpejt e shpejt votën që i dha fitoren, vetë votuesin që është populli, premtimet e bëra për shumë e shumë gjëra, që tingëllojnë deri si në mrekulli shqiptare.
Kjo mrekulli shqiptare në mendjen e kryeministrit Sali Berisha, e cila iu ofrua edhe këtë rradhë votuesve shqiptarë si Shqipëria pa krizë ekonomike, me rritjen më të madhe ekonomike në rajon, gati gati sa të Gjermanisë, Kinës e Turqisë, me mijra e mijra kilometra rrugë e tunele e shumë të tjera si këto, nuk u përputhën me gjendjen e vërtetë të vendit dhe të pjesës dërmuese të shqiptarëve. Nuk është e tepërt të përsëritet thënia amerikane se është ekonomia, budalla (It is the economy, stupid), çka citohet shpesh edhe në Shqipëri.
Po duhet të citohet edhe me shpesh se mrekullia shqiptare ka në vetvete një ushtri kolosale të papunësh, më shumë se gjysëm milioni pensionistë që duhet të mbajnë frymën me rreth $100 në muaj, me një sistem të shërbimit mjekësor që të merr frika të sëmuresh, me një sistem arsimor që shtrirja masive e internetit nuk e fsheh degradimin e përditshëm të tij, me një pasiguri të frikshme sociale, që e ka bërë sistemin e mbrojtjes së rendit, të qytetarit, inekzistent.
Të prekurit nga sa u përmendën më sipër, që janë vetëm disa nga hallet e shumta qytetare, që bëhen më anti-njerëzore në shumë zona fshatare, ishin një pjesë e madhe e votuesve që nuk nguruan të shkojnë në qendrat e votimit si rrallë herë në numër të madh më 23 qershor.
Kishin pritur 4 vjet që nga zgjedhjet e vitit 2009 që të thonin fjalën e tyre me pro ose kundër kësaj mrekullie shqiptare. Verdikti i shumicës dërmuese të tyre ishte, siç po del nga fletët e votimit, kundër saj sepse ata e ndjejnë veten keq dhe kërkojnë ndryshim të kësaj gjendje, dhe shpejt.
Pikërisht në këtë mes kjo zemëratë popullore e votës kundër u përputh me votën e mbështetësve besnikë, militantëve të Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partive të tjera të vogla të Aleancës për Shqipërinë Europiane, që e kthyen hartën e Shqipërisë në ngjyrë mavi.
Do të ishe jashtë realitetit të gjërave të mendohet dhe ushqehet iluzioni se një pjesë e madhe e atyre qytetarëve në Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë e krahina të tjera, që bashkuan votën me ASHE, kanë të njëjtat bindje politike të identifikuara me të majtën shqiptare.
Aspak nuk është kështu. Vota e tyre ishte votë kundër Z. Sali Berisha e pasuesve të tij më të ngushtë që sa më shumë kohë kalonte mbylleshin në guaskën e tyre të praruar të qelqtë, që i lejonte të shikonin brenda, por jo jashtë saj.
Ajo nuk ishte votë kundër rrugëve dhe Tunelit të Elbasanit; shqiptarët edhe në kohët më të vështira janë përpjekur të ndërtojnë shtigje për tu lidhur me botën përtej kullës së tyre. Ajo ishte votë kundër varfërisë së tejskajshme, pabarizive të mëdha sociale, një polarizimi shoqëror i ushqyer nga një korrupsion me përmasa të pakontrolluara si në vendet më të prapambetura afrikane.
Tash shumica e majtë, e cila nuk ishte e përgatitur për një rezultat kaq të thellë edhe pse nuk pranohet prej udhëheqësve të saj publikisht tani për tani, ndodhet përballë një fitoreje që mban vulën e meritës së saj në garën elektorale me Partinë Demokratike e personalizuar gati plotësisht në figurën e kryeministrit Sali Berisha, por edhe kontributin e atij numri të madh të të pakënaqurve pa asnjë lidhje me të majtën që votuan kundër kësaj mënyre të qeverisuri. Kjo masë e madhe qytetarësh i kanë dhënë kuptim edhe asaj që sugjerohej nga ndërkombëtarët është i nevojshëm rotacion me votë!
Duke i lexuar si duhet edhe këto mesazhe të ndërkombëtarëve Shqipëria ndodhet tani përballë këtij realiteti të ri qeverisës prej të cilit qytetarët shpresojnë dhe presin rezultate. Askush nuk duhet të mendojë se shqiptarët janë naivë duke u kënaqur thjesht vetëm me ndryshimin e pushtetit, largimin e Z. Berisha. Katër vite, në rastin më të mirë po nuk pati zgjedhje të parakohshme, kalojnë shpejt dhe përsëri qytetarët do të shkojnë tek kutitë e votimit dhe çdo herë e japin verdiktin e tyre më të ndërgjegjshëm për çfarë meritojnë dhe u kërkojnë pushtetarëve të zgjedhur prej tyre. Kjo mbetet sfida më e madhe edhe për pushtetarët e rinj në administrimin e kësaj vote qytetare!