Votat e diasporës në Greqi- Topalli: Të ndalohet menjëherë dorëzimi i zarfeve në dorë në KQZ

Votimi i shqiptarëve në Greqi ka qenë sërish në fokus të deklaratës së të deleguarës politike për diasporës në PD, Jozefina Topalli.
Kjo e fundit pretendon se zarfet e votimit po dorëzohen dorazi në KQZ, dhe kjo, sipas Topallit, duhet të ndalojë urgjentisht.
Ajo përsërit kërkesën për auditimin e të gjitha rasteve të kutive të dërguara, për mënyrën se si është bërë procesi i votimit, për mënyrën e sjelljes në Shqipëri dhe një analizë të kutive të votimit.
“Nëse për 3 javë rresht nga të gjitha vendet e tjera, kanë ardhur proporcionalisht, normale votat dhe për Greqinë, kishin ardhur vetëm 17 mijë vota, vetëm në 3 ditët e fundit janë shtuar 22 mijë vota. Pra është një anomali, por është një derivat i të gjitha thyerjeve që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe në Greqi.
Nëse do të vazhdojmë të dorëzojmë zarfin në dorë, kjo nuk është votë, por kjo është anulim i zbatimit të kodit zgjedhor, dhe është krim elektoral”, tha Topalli.
/rtsh.al/