E Hënë, 2 Nëntor 2026

Votat e emigrantëve nga Greqia, reagon PD-ja, Logu: Të numërohen pasi të sigurohemi se janë shprehje e vullnetit të shqiptarëve

Pas vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ku me shumicë vendosi pranimin e ankesës së PS dhe shpalljen të pavlefshëm të vendimit të Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që diferencoi votat nga Greqia, ka reaguar përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu.

Gjatë një prononcimi për mediet, ai tha se PD kërkon që të mos numërohet asnjë zarf që ka ardhur nga Greqia deri në momentin që do provohet që ato zarfe janë marrë nga zgjedhësit në Greqi.

Sipas tij, PD-ja nuk po kërkon që të nxirren të pavlefshme këto fletë votimi, por ne kërkojmë që të veçohen për momentin zarfet që kanë ardhur nga Greqia deri në momentin e vërtetimit nga DHL-ja.

‘Ky është manipulim që i është bërë votuesve shqiptar që jetojnë në Greqi ku është shkelur masivisht protokolli i sigurisë, pasi ai parashikonte që kur një zarf arrin njoftohet zgjedhësi që të marr zarfin ose t’ja dërgojë në shtëpi atij dhe kjo nuk ka ndodhur dhe parashikohej që ta merrte personalisht zarfin dhe nënshkrim dhe kjo nuk ka ndodhur. Njerëzit kanë marr me qindra zarfe dhe i dorëzonte.”

Logu deklaroi se para ditës së zgjedhjeve i është kërkuar KQZ-së që të na vërë në dispozicion nënshkrimet e zarfeve që kanë ardhur nga Greqia.

“Nëse kjo nuk provohet këto materiale nuk mund ti nënshtrohen votimit. Zgjedhësi që merr në dorëzim zarfin duhet që të nënshkruaj dhe nënshkrimi është i njëjtë me atë të kartës së ID. Në këtë fazë këtë verifikim e bënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne nuk kemi kërkuar që të përjashtohen këto fletë votimi që kanë ardhur nga Greqia, por të veçohen për momentin zarfet që kanë ardhur nga Greqia dhe të vijoj numërimi për shtete të tjera dhe kur të vijë dokumentacioni të shohim se si do të procedohet me votat që vijnë nga Greqia. Ne nuk duam që ta bllokojmë numërimin, por kërkojmë që votat e diasporës nga vende të tjera të numërohen, por votat e Greqisë duhet të veçohen dhe të sigurohemi se janë shprehje e vullnetit shqiptar dhe pasi të vërtetohet do ti nënshtrohen numërimit’, tha ai.

Duke komentuar vendimin e KAS, juristi i PD-së, tha se, “KAS rrëzoj një vendim të Komisionerit shtetëror të Zgjedhjeve, i cili vetë Komisioneri nuk i është përgjigjur kërkesës sonë. Sepse ne, jo njëherë por të paktën katër herë ne i kemi kërkuar përpara ditës të zgjedhjeve që të veçoheshin votat e diasporës që vinin nga Greqia. Nuk është marr asnjë vendim, Komisioneri ka marr një vendim që thoshte që zarfet që kontestohen, pa përfshirë cilat nga zarfet, nuk përmendej as Greqia, as Italia por çdo zarf që kontestohej futet në një kuti të veçantë dhe futet në një kuti dhe i nënshtrohet vlerësimit të mëvonshëm.”

I pyetur nga mediat se si do të procedojnë në raste të tilla, ai tha se, nuk kanë se si te hapen zarfet e ardhur nga Greqia sepse në rast se një numërues ngre dorën në çdo tavolinë numërimi dhe konteston fletët e votimit , ndërpritet procesi dhe zarfi i kalohet KZAZ-së përkatëse dhe pritet vendimmarrja i kalon Komisionerit.

“Komisionerët tanë të KZAZ-së, dhe vëzhguesit tanë janë shumë të qartë se si duhet ë veprojnë, ku për zarf të ardhur nga Greqia do veçohet sepse konsiderohet zarf i kontestuar dhe do i kalohet KZAZ-së dhe për vendimmarrjen finale do i kaloj Komisionerit të Zgjedhjeve. Deri në momentet që të na jepet prova që zarfet janë tërhequr personalisht nga zgjedhësit  ne nuk do kemi asnjë problem tjetër për ta menaxhuar. E kundërta do të jetë për të gjithë ato zarfe që nuk kemi provën sigurisht që nuk do t’ia nënshtrojmë as numërimit dhe as vlerësimit.”

“Sipas protokollit të sigurisë, çdo zarf duhet të merret personalisht nga zgjedhësi, të nënshkruhet dhe të dorëzohet me një dokument identifikimi të vlefshëm. Kjo nuk ka ndodhur. Ka video ku duket qartë se i njëjti person merrte qindra zarfe, i plotësonte, i dorëzonte dhe nuk identifikohej në asnjë moment.“

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›