Votimi i Mati Pepës, Grupi i PS-së sqaron votat pro

Partia Socialiste ka reaguar sot në lidhje me publikimin në media për rrjedhje votash të grupit parlamentar socialist gjatë votimit në Kuvend të emrave për Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Sekretari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, në një konferencë për shtyp ka theksuar se deputetët e kanë të specifikuar qartë në rregulloren e organizmit dhe funksionimit të tij mënyrën e vendimmarrjes ndërsa ka shtuar se në nenin 24 të Rregullores, paragrafi i tretë, thuhet se kur e gjykon të arsyeshme, grupi mund të vendosë që votimi të bëhet sipas gjykimit individual të secilit deputet.
“Pikërisht në këtë frymë të Rregullores, ashtu si edhe në raste të tjera të ngjashme kur bëhet fjalë për emërtesa të këtij niveli, Grupi Parlamentar Socialist nuk kishte marrë një vendim për mënyrën e votimit për dy kandidaturat e paraqitura, duke e vlerësuar të arsyeshme që votimi të bëhej sipas gjykimit individual të deputetëve” ka theksuar Balla.
Ndërkohë në seancën e djeshme plenare gjatë votimit të emrave për Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, socialistët kanë votuar pro për njërin prej anëtarëve të Bordit të Mbikëqyrjes Financiare, Mati Pepa.