Votimi i shqiptarëve nga jashtë më 11 maj, Bardhi: Të mundësohet edhe me pasaportën e shtetit ku jetojnë

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi sot që çdo shtetasi, aty ku është, t’i mundësohet e drejta për të votuar, duke folur për regjistrimin e shqiptarëve nga jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë në medie, Bardhi tha se kjo është një e drejtë e mundësuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, e drejta kushtetuese e votës nuk lidhet kurrë me burokraci dhe me dokumenta, por vetëm me elementin, nëse ky individ gëzon apo jo shtetësinë shqiptare.
“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se çdo shtetasi, aty ku është, do të duhet t’i mundësohet e drejta për të votuar. Dhe këta janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Kërkesat burokratike nuk mund të mohojnë një të drejtë kushtetuese”, u shpreh Bardhi.
Partia Demokratike e ka depozituar amendamentin e saj në Kuvend, pasi e konsideron të paplotë ndryshimin ligjor të kërkuar nga KQZ-ja vetëm për afatin e rregjistrimit të partive në zgjedhje, që i jep KQZ-së më shumë kohë për të dërguar dhe për të marrë mbrapsht zarfin me fletën e votimit.
“Duke qenë se procedura për të marrë një dokument të ri është e tejzgjatur, kërkon kohë dhe shpenzim ditësh nga shtetasi shqiptar në emigracion, ne duhet ta shmangim këtë burokraci dhe të lejojmë që ata të ushtrojnë të drejtën e votës në distancë duke u identifikuar me pasaportën apo ID biometrike të shtetit ku jeton”, theksoi Bardhi.
Qëllimi i dokumentit të identifikimit, vijoi ai, është që të përputhë individin me dokumentin që ata paraqesin.
“Besoj se siguria në vendet anëtare të BE, Kanadasë, SHBA është shumë e lartë dhe kjo është një garanci për të mundësuar të drejtën e votës së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh nënkryetari i PD-së. /j.p/