E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi në Cërrik, në shkollën “Aleks Buda” procesi vijon pa probleme

CËRRIK 9 nëntor /ATSH- Marseda Qefalia/ Në pesë bashki të vendit zhvillohen sot zgjedhjet e pjesshme të parakohshme lokale.

Ekipi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ndoqi nga afër procesin e votimit në bashkinë e Cërrikut, në qendrat e votimit, 2509 dhe 2506 në shkollën Aleks Buda, ku qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.

Procesi nisi në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 18:00.

Në qendrën e votimit 2509 janë 727 votues me të drejtë vote, ndërsa në qendrën e votimit 2509 janë 865 votues, ndërsa në total në bashkinë e Cërrikut janë 38 724 zgjedhës me të drejtë vote.

Në terren janë të angazhuar komisionerë dhe vëzhgues vendorë, ndërsa për ATSH-në anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, u shprehën se procesi ecën normalisht dhe se nuk kanë pasur probleme.

Në garë për kryetarin e bashkisë në Cërrik, janë Eligert Hima nga “Shqipëria Bëhet”, Amarildo Hoxha kandidat i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Florenc Doka nga Partia Socialiste.

Zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në Cërrik u bë pas emërimit të kryetarit të mëparshëm të bashkisë, Andis Sallës, nga radhët e Partisë Socialiste, si ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.

Zgjedhjet po mbahen edhe në bashkinë e Beratit, Vlorës, Matit dhe Tepelenës.

Votimi në Cerrik, foto: Florian Abazaj 1 nga 9

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›