E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, Celibashi: Proces 100% transparent, i monitoruar nga partitë politike

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një interviste televizive sot, tha se përgatitjet për votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, po ecin sipas afateve kohore. Ai garantoi se procesi është 100% transparent dhe i monitoruar nga partitë politike.

Ai u shpreh se në sistemin e përgatitur nga KQZ mund të regjistrohen të gjithë emigrantët shqiptarë me të drejtë vote.

“Detyra e parë e KQZ ka konsistuar në përgatitjen e akteve nënligjore, që do t’i hapin rrugë dhe i kanë hapur rrugë procesit të përgatitjeve të votimit nga jashtë. Deri në momentin që ne flasim, Komisioni Rregullator ka miratuar aktet nënligjore në kompetencë të tij, po kështu edhe në cilësinë si Komisioner Shtetëror, kam miratuar edhe unë disa akte nënligjore. Ndër aktet kryesore që ia vlen të përmendim, është regjistrimi i votuesve nga jashtë, me procedurat e regjistrimit dhe përgatitjes së listave të zgjedhësve.

Është një akt që e miraton Komisioni Rregullator. Kemi miratuar vendimin që ka të bëjë po nga Komisioni Rregullator mbi procedurat e votimit, pra dërgimin e fletëve të votimit, dokumentacionin zgjedhor, kush e përgatit, kur dërgohet, si dërgohet, si kthehet mbrapsht në KQZ. Është miratuar vendimi që ka të bëjë me dokumentet që votuesit nga jashtë gjatë procesit të regjistrimit dhe aplikimit për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve, do të duhet të ngarkohen në platformë, dokumentacion që lidhet me adresën që votuesi ka deklaruar gjatë procesit të aplikimit.

“Kemi miratuar vendimin për funksionalitetet dhe karakteristikat teknike të sistemit të regjistrimit, të platformës së regjistrimit të votuesve nga jashtë. Kemi përfunduar ndërtimin e kësaj platforme. Mendoj se procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë, ka shkuar në përputhje me të gjitha parashikimet dhe detyrimet që Kodi Zgjedhor ka parashikuar”, tha Celibashi.

Kreu i KQZ tha se procesi i finalizimit të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit është i rëndësishëm për të përcaktuar momentin e dërgimit të fletëve të votimit.

“I vetmi moment për të cilin ne kemi prezantuar një lloj shqetësimi lidhet me afatin e procesit të regjistrimit të kandidatëve, nga ky moment ne do të printojmë fletën e votimit dhe do ta dërgojmë. Nga konsultat që kemi bërë, ne na kërkohet një kohë 30-40 ditë që janë optimale, ja do të mundohemi ta reduktojmë në 20 ditë, duke paguar më shumë shteti shqiptarë për ta dërguar me postë dhe tani që jemi dakordësuar që edhe për kthimin do ta paguaj shteti shqiptarë. Procesi duhet të shkoj deri në 20-25 ditë, ndërsa në zgjedhjet e shkuara shkoi mbi 25 ditë, pasi ishte dhe problemi i regjistrimit të partisë më të madhe opozitare, debati mbi logon etj.”.

Ai tha se transparenca është kryefjalë. “I kemi marrë masat nga pikëpamja e njerëzve, organizatave për dokumentacionin e duhur dhe për ta pritur dhe përpunuar dokumentacionin”, shtoi ai.

“Ajo çfarë ka rëndësi të thuhet, është që i gjithë ky proces është 100% i monitoruar dhe transparent që nga sekonda e parë e procesit, deri në momentin e realizimit të tij nga partitë politike dhe shoqatat e organizatave të shoqërisë civile. Procesi është pra 100% transparent dhe i monitoruar nga partitë politike”, u shpreh Celibashi gjatë intervistës.

Sipas Celibashit, ligji e ka të qartë se kur një person nuk mund të votojë dhe kjo gjë përforcohet nga një vendim gjykate.

“Nëse një njeri nuk ka të drejtën e votës, i është hequr me vendim gjykate nuk mund të votojë. Përsa nuk ka një vendim gjykate, ai regjistrohet kërkon një fletë votimi. Ne nuk merremi…si ka mundësi një person në proces penal. Ne nuk merremi me këtë gjë”, tha Celibashi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›