Votimi nga jashtë, mbi 30 mijë aplikime në një javë, miratohen mbi 11 mijë kërkesa

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Një javë pas nisjes së regjistrimeve të votuesve nga jashtë, shifra e kërkesave ka kaluar 30 mijë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kërkesat për regjistrim janë 30 085 deri sot në orën (17:00), ndërsa janë miratuar 11 065 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 19 893 (66,1%) kërkesa, ndërsa femrat janë 10 192 (33,9%).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 9 100 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 8 297 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 5 527 kërkesa dhe mbi 56 vjeç janë 4 134 kërkesa për regjistrim.
Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 3 027 të tilla.
Sipas të dhënave janë refuzuar 6 341 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 9 368, e ndjekur nga Greqia me 7 016, Gjermania me 4 598 si dhe nga SHBA me 2 720. Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 6 625, më pas bashkia e Fierit me 4 992, Korça me 3 330, Durrësi me 2 567 etj.

/r.e/