E Enjte, 5 Nëntor 2026

Votohet kryesia e re e PS-së, Klosi: Puna për planin “Shqipëria 2030” nis menjëherë


TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi publikoi emrat e anëtarëve të zgjedhur për organet e larta drejtuese të Partisë Socialiste.

Klosi tha se Sekretariati i PS-së u rikonfirmua. Blendi Klosi u rizgjodh sekretar i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri rizgjidhet sekretar i Organizmit të Zgjedhjeve, Evis Kushi rizgjidhet sekretare e Gruas, Milva Ikonomi rizgjidhet sekretare për Programin, Romina Kuko rizgjidhet sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Roi Bashaj sekretar për Rininë

Anëtarët e zgjedhur të kryesisë së PS-së, janë Albana Koçiu, Anila Denaj, Etlida Gjonaj, Klodiana Spahiu, Lindita Nikolla, Arben Pëllumbi, Erion Braçe, Eduart Shalsi, Igli Hasani, Toni Gogu.

Mbetën jashtë kryesisë, Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, Ditmir Bushati, Ilir Beqaj, Armand Subashi.

“Fushata zgjedhore i afrohet kulmit të saj. E quaj një përgjegjësi dhe vlerësim të jashtëzakonshëm të rikonfirmimit tim në këtë detyrë”, u shpreh Klosi.

Drejtues politik për emigracionin, Balla: Shumë i motivuar

Ministri Taulant Balla ka reaguar pasi u caktua si drejtues politik për Diasporën në  Asamblenë Kombëtare të PS, duke falënderuar të gjithë shqiptarët e diasporës si kontributorët më të mëdhenj në ekonominë kombëtare prej 33 vitesh.

“Shumë i motivuar të ribashkohem me anëtarët e Asamblesë Kombëtare, të zgjedhur nga strukturat tona në diasporë. Një rifalenderim atyre mijëra bashkëatdhetarëve në Greqi dhe Itali, për takimet e mëdha në pranverë me Kryeministrin Rama. Për herë të parë në pranverën e ardhshme shqiptarët jashtë kufijve do të mund të votojnë nga vendi ku jetojnë dhe ku punojnë, falë vulosjes së kësaj të drejte në Kodin zgjedhor të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë pak javë më parë. Shqiptarët e diasporës janë kontributorët më të mëdhenj në ekonominë kombëtare prej 33 vitesh dhe më në fund ka ardhur dita ta ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes së anëtarëve të Kuvendit dhe për udhëheqjen e Shqipërisë. Shqipëria është shtëpia juaj jo vetëm për të ndihmuar por edhe për të votuar dhe nëse nuk vijnë për të votuar këtu, në pranverë 2025 do ta dërgojnë votën me postë për të vendosur së bashku si një familje e madhe se kush dhe si duhet t’i drejtojë dhe t’i ndjekë punët e atdheut tonë të përbashkët”, shkruan Balla në një postim në rrjetet sociale.

Gjithashtu, Balla la folur edhe për rugëtimin e tij politik duke theksuar se Partia Socialiste dhe votuesit e saj e kanë mbështetur në çdo hap.

“Dy fjalë për këtë detyrë të re në familjen time politike, Partinë Socialiste. E kam nisur karrierën në PS si një anëtar i thjeshtë në shtator 1994 (fiks 30 vite më parë) dhe hap pas hapi kam marrë nga kjo parti dhe votuesit e saj aq shumë mbështetje, duke kulmuar në zgjedhjet e fundit, nder që dua vetëm t’ia kthej cdo ditë me gjithë forcat e mia. Siç e kam thënë dhe herë të tjera, nuk i kam dashur dhe nuk i dua kurrë ata që e harrojnë nga janë nisur dhe nuk shikojnë sa vite e sa punë ka akoma përpara. Sot mu besua një detyrë tjetër e rëndësishme si Drejtues Politik i partisë më të madhe të gjithë shqiptarëve, kudo ku jetojnë shqiptarët në mbarë botën. Ndihem edhe më i motivuar se çdo herë tjetër sepse dhe sfida është më e vështira për zgjedhjet e pranverës. Mirënjohje pafund kryeqytetit të socialistëve, Qarkut Fier, për punët e mëdha dhe fitoret e bukura që realizuam së bashku”, përfundon Balla.

Koçiu: Ecim përpara më shpejt drejt objektivit për Shqipërinë 2030

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka reaguar pasi u zgjodh anëtare e kryesisë në Asamblenë e PS.

“Partia Socialiste është familja e vetme politike në me ekipin, frymën dhe vizionin për një Shqipëri Europiane. Është një privilegj i madh për mua, dhe me vetëdijen për përgjegjësinë që sjell kjo detyrë, dua të shpreh mirënjohje të thellë dhe të falenderoj nga zemra të gjithë shoqet dhe shokët anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste për besimin dhe mundësinë që më dhanë për të qenë pjesë e Kryesisë së kësaj force, për të kontribuar e çuar përpara vizionin e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Pres me padurim të fillojmë punën së bashku për objektivin e radhës, fitoren në zgjedhjet e ardhshme, për mandatin e katërt qeverisës, me bindjen se do të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe vendin, duke ecur përpara më shpejt drejt objektivit për Shqipërinë 2030”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Drejtues politik i Shkodrës, Benet Beci: Detyrë sfiduese, do jap maksimumin për zhvillimin e këtij qarku

Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka reaguar në një postim në rrjetet sociale pasi kryeministri Rama i besoi drejtimin e qarkut të Shkodrës në garën për zgjedhjet parlamentare 2025.

Beci falënderon Ramën për besimin, ndërsa thotë se do japë maksimumin për këtë detyrë sfiduese në rrugën pakthim për zhvillimin e Shkodrës.

“Janë emocione të përziera këto të sotmet, kur Kryeministri Edi Rama sapo më ngarkoi me një detyrë të rëndësishme, sfiduese e krejt të re për profilin tim. Jam thellësisht falënderues për mundësinë dhe besimin për të qenë koordinator politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës. Padiskutim z.Rama, por veçanërisht  qytetarëve të Shkodrës e bashkëpunëtorëve të mi. Falë jush, rrugëtimi ynë i përbashkët në politikë, prej prillit të 2021 po rezulton i duhuri. Ndjehem gjithashtu i shpërblyer për modelin tonë të të bërit politikë.

Duke u fokusuar te puna dhe pozitiviteti, te aftësitë dhe vullneti për ta zhvilluar rajonin tonë, duket se po sjellim bashkë mundësi të reja. Por sot ndjehem edhe i sfiduar, si dikush që merr përsipër për herë të parë përgjegjësi, në një fushë ku përpara kanë kontribuar njerëz me përvojë më të gjatë.

Me shumë dëshirë, motivim dhe besim do t’i kushtohem edhe kësaj detyre, për të dhënë maksimumin në një rrugë tashmë të pakthim, atë të zhvillimit për Shkodrën si bashki e si qark. Kam nevojë për mbështetjen  e çdo anëtari të partisë, çdo kontribuuesi në vite e çdo qytetari në qarkun tonë.

Nuk do të jetë e lehtë, por kjo e jona duhet dhe do të jetë rruga drejt zhvillimit pa kthim, siç Shkodra e meriton. Ne duhet e do të jemi të gjithë bashkë, sepse Shkodra është e para. Faleminderit”, shprehet Benet Beci.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›