Vrasja e 14 vjeçarit- Manastirliu: Rikonceptojmë perimetrin e sigurisë në shkolla. Zhupa: Jep dorëheqjen

Ka vijuar këtë të enjte (12 dhjetor) interpelanca urgjente me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu kërkuar nga grupi parlamentar demokrat në lidhje me ngjarjen tragjike të 18 nëntorit ku në afërsi të shkollës “Fan Noli”, u qëllua me thikë për vdekje 14-vjeçari Martin Cani.
Në nisje të fjalës së saj, ministrja Manastirliu ka lëshuar një sërë akuzah kundrejt demokratesIna Zhupa, duke iu drejtuar se interesi i saj nuk është siguria në shkolla, por përdorimi i ngjarjes tragjike për qëllime politike.
Ministrja garantoi se për ngjarjen në fjalë kanë ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë nga ana e organeve kompetente, si dhe ka ngritur një grup pune për monitorimin e zbatimit të protokolleve në çdo hallkë përgjegjëse në shkollë.
“Kam folur që në momentin e parë nga kjo foltore dhe në të njëjtën ditë përmes reagimit zyrtar dhe qëndrimin tim pas dhimbjes për ngjarjen tragjike: gjuha e urrejtjes, kanosja me fjalë shembulli më i keq, shërbimi më i keq që mund tu bëjmë fëmijëve, prindërve e qytetarëve. Ju nuk vonuat të jepni shembullin tuaj të keq nga kjo foltore.
Ti zonja deputete fyeve rëndë një kolege. Ajo që tregove ishte se interesi yt nuk ishte të flisje për sigurinë në shkolla dhe atë që po bëjmë, nuk ishte të jepje kontribut që problemet të gjejnë zgjidhje. U ngrite dhe përdore gjuhë fyese, u tregove fëmijëve se me çfarë gjuhe të papranueshme u drejtohesh ti fëmijëve nga anët e tua. Tregove se je bulliste. U tregove qytetarëve se njeriu më në hall je ti, në hall për një karrige.
Shembulli që përcillet nga jo sallë lidhet direkt me edukimin e fëmijëve. Ministria ka rol kryesor dhe përgjegjësi për krijimin e ambienteve të sigurta. Për ngjarjen në fjalë kanë ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë nga ana e organeve kompetente. Ne kemi ngritur grup pune për monitorimin e zbatimit të protokolleve në çdo hallkë përgjegjëse në shkollë”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja siguroi se institucioni të cilin ajo drejton është i angazhuar për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, të rishikimit të protokolleve të ndërhyrjes së shpejtë të oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë e psikologëve.
Ministrja theksoi se Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë mundësuar rikonceptimin të perimetrit të sigurisë në shkolla. Ajo shtoi se, paketa do prezantohet brenda dhjetorit.
“Masa që po pasqyrohen në planin kombëtar të veprimit për parandalimin e çdo forme të dhunës, bullizmit e sigurisë në shkolla për të cilin puna ka nisur dhe do të prezantohet brenda dhjetorit.
Ministria e Arsimit dhe e Brendshme ka mundësuar një rikonceptim të perimetrit të sigurisë duke përfshirë dhe monitorimin e aktiviteteve tregtare”, bëri me dije Manastirliu.
Nga ana e saj deputetja Zhupa u kundërpërgjigj se ministrja Manastirliu duhet patjetër të japë dorëheqjen nga detyra. Zhupa nënvizoi se ngjarja e Martinit ishte e lajmëruar dhe sindromë e një sistemi arsimor të dështuar.
“Ministër që ka rekorde për vjedhje dhe vdekje. S’mund të bësh moral për gjuhën që kemi ne. Ogerta kur ndodhi fatkeqësia kuptoi se ishte ministër e arsimit, se nuk e kishin parë në asnjë shkollë dhe se kishin parë të ngrite problemin e sigurisë në shkolla.
E pamë kur iu rrezikua karrigia e vetë, kur I kërkuam dorëheqjen. Nëse një nga ata dy djemtë do kishin fituar një medalje në sport, arte, e para që do merrte meritat do ishte Ogerta.
Ngjarja e Martinit nuk është ngjarje e veçuar, as fatkeqësi që ndodhi e paditur, por është ngjarje e lajmëruar, sindroma e një sistemi arsimor të dështuar”, u shpreh Zhupa.
/rtsh.al/