E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e 20-vjeçarit në Ksamil, reagon qeveria portugeze: Po ndjekim rastin, s’kemi ende informacion zyrtar

Qeveria portugeze po ndjek rastin e 20-vjeçarit portugez, i cili u vra me thikë në Ksamil pas një konflikti në një lokal. Në lidhje me ngjarjen, autoritetet shqiptare kanë shoqëruar 11 persona, ndërsa si autor i dyshuar është arrestuar 29-vjeçari Sokrat Vata.

Vata ka dhënë deklarimet e para përpara grupit hetimor, duke paraqitur versionin e tij për mënyrën se si ndodhi ngjarja. Sipas tij, konflikti nisi fillimisht mes turistëve, të cilët dyshohet se kishin konsumuar alkool. Ai ka pretenduar se u kërkoi të qetësoheshin, por situata agravoi dhe përfundoi në përleshje fizike.

29-vjeçari ka deklaruar se thika me të cilën u godit 20-vjeçari nuk ishte e tij, por e viktimës.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Portugalisë ka bërë të ditur se po ndjek rastin përmes ambasadës në Romë dhe konsullatës së nderit në Tiranë, në kontakt me autoritetet shqiptare dhe familjarët e viktimës.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e shtetasit portugez që vdiq në Shqipëri dhe, nëpërmjet ambasadës së saj në Romë dhe gjithashtu konsullatës së nderit në Tiranë, po bashkëpunojmë me autoritetet lokale”, komentoi zyrtarja, e cila konfirmoi për mediat se, “për momentin”, ende nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur.

“Ne e dimë nga shtypi lokal se ka pasur arrestime, por për momentin nuk kemi ende informacion përmes rrjetit tonë”, shton Raquel Trindade, e cila siguron se Ministria e Punëve të Jashtme“, do të vazhdojë të monitorojë situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›