E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Arlinda Zekajt, kuvendi Kosovës ngre Komision Hetimor, pezullohen 11 zyrtarë policorë në Pejë

Zhvillime të rëndësishme institucionale kanë pasuar ngjarjen tragjike të 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ku u vra Arlinda Zekaj. Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për hetimin e përgjegjësive administrative e hetimore lidhur me mënyrën se si është trajtuar ky rast dhe dhuna në familje në tërësi.

Kuvendi me votë unanime për hetimin parlamentar

Me 90 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka vendosur të themelojë Komisionin Hetimor Parlamentar, i cili do të fokusohet në “veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje”.

Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë një mandat funksional prej gjashtë muajsh:

  • Kryetar: Burim Ramadani (AAK)
  • Zëvendëskryetar: Adnan Rrustemi (LVV)
  • Anëtarë nga LVV: Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu, Adelinë Tërshani
  • Anëtarë nga PDK: Besa Kabashi-Ramaj, Eman Rrahmani
  • Anëtare nga LDK: Doarsa Kica-Xhelili
  • Përfaqësues nga Komunitetet: Jovana Radosavljeviq, Emilija Rexhepi

Zxhinxhiri i komandës në Pejë përballet me pezullim

Paralelisht me vendimin e Kuvendit, Policia e Kosovës ka marrë masa disiplinore ndaj zinxhirit drejtues dhe hetimor në rajonin e Pejës. Mbështetur në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), janë suspenduar nga detyra 11 zyrtarë policorë.

Mes të pezulluarve përfshihen drejtues të lartë të policisë rajonale dhe stacionit lokal:

  • D. Drejtori Rajonal dhe Shefi i Hetimeve Rajonale në DRP-Pejë
  • Komandanti, Zv.komandanti dhe Shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor Pejë
  • D. Shefi i Sektorit të Operativës në Pejë dhe Komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë
  • Katër hetues policorë të Stacionit Policor Pejë

Masat e marra bazohen në Ligjin për Policinë dhe procedurat disiplinore në fuqi, ndërsa IPK po zhvillon hetim paraprak për të analizuar veprimet ose lëshimet e mundshme gjatë trajtimit të rastit.

Nga Policia e Kosovës bëhet me dije se suspendimet u ndërmorën “në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale”, duke ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e integritetit dhe bashkëpunimin e plotë me organet e drejtësisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›