Vrasja e Yzberishtit, policia shpërndan fotot e autorit të dyshuar
Policia e Tiranës ka arritur të sigurojë një identikit të qartë të vrasësit të 53-vjeçarit, Petrit Kurti, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Yzberisht.
Një ditë pas vënies së një shpërblimi prej 10 mijë eurove për kapjen e autorit të vrasjes së dy netëve më parë, policia kryeqytetase ka shpërndarë fotot e personit të dyshuar se ka vrarë 53-vjeçarin.
Imazhet paraqesin një djalë të ri të armatosur, rreth të 30-ve, i veshur me pantallona xhinse, bluzë blu, me vija të bardha tek mëngët e shkurtra dhe me një kapele të kuqe në kokë. Fotot janë stampuar nga kamerat e sigurisë së marketit, të cilat kanë ndihmuar jo vetëm në fiksimin e fytyrës së vrasësit, por dhe në rindërtimin e skenës së krimit.
Ndërkaq mësohet se ka vazhduar shoqërimi i dhjetëra personave dhe dëshmitarëve që kanë dijeni për këtë ngjarje, por ende mbeten mister motivet e vrasjes. Familjarët e 53-vjeçarit janë shprehur se nuk ka kanë pasur konflikt me asnjë person, ndërkohë që ende nuk është vërtetuar plotësisht pista e grabitjes. Një ditë më parë policia e kryeqytetit vendosi një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo person që jep informacion të vlefshëm, duke vënë në dispozicion numrat 129 dhe 069 41 00 353 dhe 069 41 04 111.
25 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Vrasja e Yzberishtit, policia shpërndan fotot e autorit të dyshuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip