E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjykata e Lartë thërret mbledhje me të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë

Pas ngjarjes tragjike të 6 tetorit ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Gjykata e Lartë ka bërë të ditur se do të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kjo mbledhje vjen pas dakordësisë së shprehur nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe pas “takimit të zhvilluar me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit, është autorizuar Kryetari i Gjykatës së Lartë që, në ushtrim të përgjegjësive institucionale, të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë”.

Sipas Gjykatës së Lartë, kjo mbledhje përfaqëson një moment të rëndësishëm “bashkimi, reflektimi dhe force morale për gjithë trupën gjyqësore të vendit, e cila do të shprehë qartë dhe me dinjitet se: asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë; asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën; asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit”.

“Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, për të mbrojtur jo vetëm jetën dhe dinjitetin e tyre, por edhe vetë të drejtën e qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur. Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me besim dhe respekt, duke ftuar të gjithë të kuptojnë se drejtësia nuk është armike e askujt, por mburoja më e fortë e shoqërisë dhe e çdo qytetari ndaj padrejtësisë dhe dhunës.

Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Gjyqtari Astrit Kalaj u vra një ditë më parë në sallën e gjykatës së Apelit pasi dha vendimin mbi dy palë në proces lidhur me një konflikt pronësie në Shkodër kur 30-vjeçari Elvis Shkëmbi qëlloi gjyqtarin duke e lënë të vdekur. Ai u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe pranoi fajësinë. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë (babë e bir).

Gjyqtari Kalaja kishte mbi 18 vite përvojë në sistemin e drejtësisë dhe ishte rikonfirmuar me sukses në procesin e vetting-ut në vitin 2019.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›