Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Berisha: Dënim maksimal për ekzekutorin dhe porositësin

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u qëllua me armë dhe për pasojë humbi jetën, teksa dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Berisha tha se kërkon “dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë”.
“Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja. Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri në zyrën e tij, pra në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe”, shkruan Berisha.
“Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në brendësi të institucionit, dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend”, vijon Berisha.
“Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë”, përfundon mesazhin e tij kreu i PD.
Bardhi: Kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke reaguar për vrasjen e gjyqtarit Kalaja, tha se është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci.
“Tronditëse ngjarja e rëndë kriminale në Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja. Ky akt i pashoq është prej atyre që të lënë pa fjalë. Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit të gjyqtarëve dhe profesionistëve të drejtësisë, apeloj që autori i këtij akti shokues të marrë dënimin maksimal të parashikuar nga ligji”, shkruan Bardhi.
Sipas tij, “ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të jap vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit, për pasojë sot është dita për një reflektim të thellë nga e gjithë shoqëria shqiptare.
“Kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe Ministri i Brendshëm Albana Koçiu që janë titullarët e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë në gjykata duhet të japin urgjentisht dorëheqjen, si akt përgjegjshmërie për dështimin në garantimin e sigurisë së profesionistëve të drejtësisë në vendin e tyre të punës”, vijon Bardhi.
“Një gjyqtar/prokuror në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës. Kjo do pamundësonte ushtrimin e lirë dhe pa frikë prej tyre të detyrës së shenjtë të dhënies së drejtësisë. Të bëhemi të gjithë bashkë për të ndëshkuar maksimalisht këtë akt të rëndë që ky akt i paprecedentë të mos kthehet në normalitet”, përfundo Bardhi.
Blushi: Akt i paprecedentë, atentat ndaj shtetit të së drejtës
Sekretari o Përgjithshëm i Partisë së Liriës, Tedi Blushi, i cili mban dhe pozicionin e kreut të grupit parlamentar të PL, tha se ky është një “akti i paprecedentë terrorist i ekzekutimit me armë zjarri të gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës, rendit kushtetues dhe vetë jetës në Shqipëri”.
“Vrasja e gjyqtarit Kalaja është jo vetëm një tragjedi e thellë për sistemin e drejtësisë, por edhe një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ky nuk është më vetëm një krim penal, por një sinjal i qartë se Shqipëria është përballë një kolapsi institucional, ku shteti nuk kontrollon më territorin e tij dhe ku institucionet janë kthyer në emra pa përmbajtje”, tha Blushi gjatë një deklarate për mediet.
“Në emër të mijëra qytetarëve që sot ndihen të braktisur, të pasigurt dhe të terrorizuar, Partia e Lirisë kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Brendshme, Znj. Albana Koçiu, si akt i parë i përgjegjësisë institucionale për këtë dështim katastrofik të shtetit në garantimin e jetës dhe sigurisë”, u shpreh Blushi.
“Sot më shumë se kurrë është e domosdoshme një zgjim kombëtar, një reagim i përbashkët për të rikthyer shtetin e së drejtës, për të rindërtuar institucionet dhe për t’i dhënë fund kapjes së Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni. Asgjë nuk është më urgjente se garantimi i sigurisë së jetës dhe mbrojtja e shtetit nga mafia”, përfundoi ai.
/a.f//r.e/