E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e grave dhe vajzave/ Binjaku: Dëshmi e krizës që po përjeton shoqëria, institucionet të reagojnë

Nga 1 janari deri në fund të korrikut, katër gra e vajza janë vrarë në Shqipëri.  Për sociologen Entela Binjaku, kjo është dëshmi e një krize që po përjeton shoqëria shqiptare, nisur edhe nga pamundësi të ndryshme, me të cilat ajo përballet.

“Gjithë akumulimi i nervozizmit të jashtëm, gjitha padrejtësitë që përjetojnë njerëzit, të gjithë këtë indiferencë të madhe sociale që gjejnë jashtë mureve të shtëpisë, shpesh herë vështirësitë ekonomike, pamundësitë për të shtyrë muajin, pamundësitë për të shlyer një detyrim që kanë ndaj shtetit, pamundësitë për të shkolluar fëmijët, për t’i veshur, ushqyer edhe për t’i rritur ata”, deklaroi Binjaku.

Për Binjakun, edhe veset kanë peshën e tyre, sidomos lëndët psikotrope, por jo vetëm.

“Në varësitë nga alkooli, nga lojrat e fatit dhe sidomos dhe nga droga bëjnë që brenda strehëzës më të ngrohtë familjare të mbizotërojë konflikti”, shtoi ajo.

Sociologia kërkon që institucionet, sidomos ato të edukimit, duhet të rikthehen në misionin për të cilin janë krijuar.

“Në njëfarë mënyre përgjegjësia duhet gjendur tek institucionet e edukimit të cilat bëjnë tepër pak ose i kanë braktisur le të themi ato misione që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me formimin e psikës shoqërore të një individi”, deklaroi Binjaku.

Vrasjet e grave dhe vajzave u regjistruan në qarqet Fier, Vlorë, Lezhë e Shkodër, ndërsa rastet e femicidit në Shqipëri në katër vitet e fundit kanë arritur në 24. Ngjarjet janë shënuar kryesisht në mjedise familjare.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›