E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e kryekomisarit arrest me burg per ish-efektivet

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “Arrest me burg” për dy ish-efektivët e policisë, Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturanin, shoqëruesit e Kryekomisar Adem Tahiraj, i vrarë pasditen e 13 shtatorit në Katund Sukth.

Pavarësisht se Prokuroria e ka konsideruar si të paligjshëm arrestimin e dy ish-efektivëve, ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” me akuzën për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar vrasjen e kryekomisar Tahiraj. Në seancën e cila u zhvilluar me dyer të mbyllura, gjykatësi Luan Hasneziri ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në burg dy oficerët e policisë. Pritet që pala mbrojtëse të apelojë vendimin për një masë sigurie më të lehtë deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.

Dy efektivët e policisë u arrestuan mbrëmjen e 20 shtatorit. Ata shoqëronin kryekomisarin e Shijakut ditën e vrasjes, por nuk kanë ndërhyrë në momentin që autori i dyshuar i vrasjes, Ilir Xhakja, ka mbërritur në vendngjarje me armën, me të cilën qëlloi më pas Tahirajn. Ndalimet janë bërë pas hetimeve të kryera nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, por Prokuroria ka pretenduar se ndalimi i tyre ka qenë i paligjshëm.

Fatmir Hoxha, në dëshminë e tij ka deklaruar se në momentin që Ilir Xhakja ka qëlluar mbi kryekomisar Adem Tahirajn, atij i ka rënë të fikët dhe nuk mban mend gjë. Ndërkohë Xhakja ka deklaruar se ka pasur një konflikt me Fatmir Hoxhën, gjë që është mohuar nga ky i fundit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›