E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja mafioze në Shkodër, kërkohen gjurmë në 27 gëzhojat e sekuestruara

Gazeta Shqip

Policia po verifikon edhe kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ekzekutimi i 38-vjeçarit

Grupi hetimor ka liruar 11 të shoqëruarit, duke mos gjetur asnjë provë që i lidhte ata me krimin

Vrasja mafioze në Shkodër ka mbetur në udhëkryq, pasi policia nuk di mbi kë të vendosë gishtin për autorësinë e saj, ndërkohë që gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës me shpresën se në to do të gjendet ndonjë gjurmë e autorëve. Nga ana tjetër, policia lokale ka kontrolluar të gjithë zonën për kamera sigurie, me qëllim identifikimin e ndonjë të dyshuari që ka kaluar pranë vendit të krimit, pasi është detyruar të lirojë të gjithë të shoqëruarit për mungesë provash mbi këtë krim të rëndë. Njëmbëdhjetë të shoqëruarit janë lënë të lirë pas intervistimit nga policia, pasi për asnjë prej tyre nuk është gjetur ndonjë provë, që i implikon në vrasjen e 38-vjeçarit Edmir Koçia. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se kemi të bëjmë me një rast tepër të ndërlikuar, duke ditur se viktima kishte disa konflikte dhe kjo e bën mjaft të vështirë përcaktimin e një piste të saktë. Ndërkohë, burime nga grupi i hetimit pohojnë se të vetmet prova janë gëzhojat e automatikut të sekuestruara, të cilat i janë nënshtruar edhe ekzaminimit në Laboratorin e Kriminalistikës pranë Policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme për të mundësuar gjetjen e ndonjë gjurme gishtash e më pas të bëhet krahasimi me gjurmët e të dyshuarve. Për më tepër, grupi hetimor shpjegoi faktin se natën e krimit ka rënë shi dhe kjo e bën më të vështirë gjetjen e gjurmëve në gëzhojat e automatikut. Sipas tyre, uji e fshin shumë shpejt gjurmën. Ndërkohë, specialistët e krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë në Shkodër kanë nisur hapjen e të gjitha dosjeve të vjetra kriminale, ku ka pasur dyshime se viktima ka qenë i përfshirë, për të bërë lidhjen e ndonjë piste të ekzekutimit të 38-vjeçarit Koçia. Nga hetimet e kryera, policia ka arritur në përfundimin se vrasja e tij është bërë në një mënyrë të organizuar mjaft mirë dhe kanë qenë të përfshirë të paktën dy persona në kryerjen e atentatit. Autorët kanë qenë të informuar në lidhje me lëvizjen e viktimës dhe kanë krijuar pritën te dera e shtëpisë në momentin që po hynte brenda. Gjithashtu, po sipas grupit hetimor, autorët janë larguar në mënyrë të organizuar nga vendi i ngjarjes, pasi kishin menduar gjithçka për të mos lënë asnjë gjurmë dhe pa u vënë re nga njeri. Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima e dinte se ishte i kërcënuar dhe lëvizte me shumë kujdes, por prita e krijuar në derën e shtëpisë ka qenë e befasishme dhe e papritur për 38-vjeçarin. Gjatë ditës së djeshme, policia ka kontrolluar edhe kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e ndonjë të dyshuari, pavarësisht se pranë vendit të ngjarjes nuk ka pasur asnjë të tillë. A. Hoti

Vrasja mafioze në Shkodër, kërkohen gjurmë në 27 gëzhojat e sekuestruara burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›