Vrau 11 vjet më parë për gjakmarrje, ekstradohet i dënuari me 24 vjet burg

Tiranë, 12 Gusht, NOA Në vitin e largët 1999, do të vriste një person dhe në një copë letër dërguar kryeplakut të fshatit, do ti shkruante se vrasjen e kishte kryer për gjakmarrje.
Kjo është ngjarja që rëndon prej 11 vitesh mbi
31-vjeçarin Ndue Memaj nga Puka, për të cilën ai është dënuar me 24 vjet burg nga
drejtësia shqiptare dhe që sot, për vuajtjen e këtij dënimi, ai është
ekstraduar drejt vendit tonë nga Milano ku edhe fshihej prej vitesh.
Lajmi është konfirmuar nga burimet policore të Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, duke sqaruar se vendimi për 24 vite burg ndaj Memajt është marrë nga gjykata e Pukës, në vitin 2000, për kryerjen e veprave penale të Vrasjes me paramendim dhe Armëmbajtjes pa leje, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Konkretisht, ai më datë 08.11.1999, në Fushë Arrëz, ka qëlluar me automatik dhe ka vrarë Jak Ndokën, ndërsa ky i fundit në momentin e vrasjes, mësohet se qenë duke drejtuar një furgon dhe si pasojë, është përplasur me një kioskë duke shkaktuar vdekjen e Agron Hysenit, i cili gjendej brenda saj.
Nga kjo ngjarje atëherë, është plagosur gjithashtu edhe një kalimtar i rastësishëm.
Më pas, autori është larguar nga vendngjarja dhe i ka dhënë një letër kryeplakut të fshatit në të cilën shkruhej se vrasjen e kishte kryer për gjakmarrje.
Ndërkaq, si rezultat i bashkëpunimit të zyrës së Interpol Tirana me Interpol Romën, në vitin 2007 u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i të lartpërnendurit, ndërsa sot në aeroportin Nënë Tereza në Rinas Memaj u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
n.e/NOA