Vrau 3-vjeçaren, i moshuari në gjyq
SARANDE – Nis gjyqi për 74-vjeçarin Selman Meleqi, autor i vrasjes së një vajze 3 vjeçe. Ngjarja ku mbeti e vdekur vogëlushja Sara Zera, ndodhi më 25 qershor të këtij viti, në Delvinë. Trupi gjykues e ka njohur të moshuarin me 4 akuzat që rëndojnë ndaj tij, si ajo për vrasje nga pakujdesia, vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, plagosje e rëndë me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit. Mungesa e avokatit të të pandehurit ka bërë që seanca të shtyhet për javën tjetër, ndërkohë gjykata e ka quajtur të pabazuar mungesën e tij dhe caktoi avokat kryesisht. Në tentativë për të vrarë komshiun e tij për një konflikti pronësie, 74-vjeçari hodhi dy granata në një banesë në Delvinë. Granatat përfunduan në oborrin e familjes Zera, e ardhur nga Shkodra për një jetë më të mirë. Ciflat e saj i morën jetën 3-vjeçares Sara Zera dhe u plagos rëndë nëna e saj së bashku me dy gjyshërit. sh.d