E Martë, 3 Nëntor 2026

Vrau kolegun brenda komisariatit, Apeli dënon me 30 vite burg ish-efektivin

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi të lërë në burg ish-efektivin e policisë Ludian Zaimi, duke e dënuar me 30 vite burg për vrasjen e kolegut të tij në ambientet e komisariatit, Çaush Saliasi.

Më 15 shtator të 2023-shit, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi dënimin me 35 vite burg të ish-efektivit për ngjarjen e 23 majit, ku brenda ambientit të Komisariatit të Policisë nr.3, qëlloi disa herë me armën e shërbimit, kolegun e tij.

“Në përfundim të gjykimit, më datë 25.01.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Dokollari dhe anëtarë znj. Irena Brahimi dhe z. Fuat Vjerdha, vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 2016 datë 15.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në lidhje me cilësimin juridik dhe dënimin, si më poshtë vijon:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim.

-Lënien në fuqi të vendimit për disponimet e tjera.

-Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”, thuhet në vendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›