Vuante nga një sëmundje e rrallë, ndërron jetë në moshën 22-vjeçare Princi i Luksemburgut

Princi Frederik i Luksemburgut, djali më i vogël i Princit Robert të Luksemburgut dhe i Princeshës Julie të Nassau, ka vdekur pas një beteje të gjatë me një çrregullim të rrallë gjenetik të njohur si sëmundja mitokondriale POLG. Ai ndërroi jetë në moshën 22 vjeçare, shkruan CNN.
Frederiku vdiq në Paris më 1 mars, njoftoi familja e tij.
“Një dritë u shua”, tha babai i tij.
POLG është një çrregullim gjenetik mitokondrial që rrëmben energjinë e qelizave të trupit, duke shkaktuar mosfunksionim dhe dështim progresiv të organeve të shumëfishta.
Frederiku u diagnostikua me POLG në moshën 14-vjeçare, tha familja. Për shkak se sëmundja shkakton një gamë kaq të gjerë simptomash dhe prek shumë sisteme të ndryshme organesh, mund të jetë e vështirë për t’u diagnostikuar.
Aktualisht nuk ka asnjë trajtim apo kurë për POLG.
Pavarësisht gjendjes së tij, Frederiku “gjeti forcën dhe guximin për t’i thënë lamtumirë secilit prej nesh, vëllait të tij, Aleksandër; motrës së tij, Charlotte; mua; tre kushërinjve të tij, Charly, Louis dhe Donall; kunatit të tij, Mansour; dhe së fundi, tezes së tij Charlotte dhe xhaxhait Mark”, shkroi Robert.
Babai i Frederikut, Roberti, është kushëri i parë i kreut aktual të shtetit të Luksemburgut, Dukës së Madh Henri, dhe është i 15-ti në linjën e trashëgimisë./vizionplus.tv