Vuçiç e cilësoi Kosovën pjesë të Serbisë, deputetja gjermane: Të ngrijnë menjëherë bisedimet për anëtarësimin e saj në BE

Deputetja gjermane kërkon që Serbisë t’i ngrijnë menjëherë bisedimet për anëtarësim në BE, pas deklaratave të presidentit serb Vuçiçit mbi Kosovën. Gjatë betimit të tij për herë të dytë si president, Vuçiç tha sa të jetë ai në qeveri do të bëjë të gjitha përpjekjet që të ruajë Kosovën si pjesë të Serbisë.
Por këto deklarata janë cilësuar të rënda nga deputetja e Bundestagut gjerman, Renata Alt e cila në një intervistë për DW u shpreh se kjo tensionon situatën mes dy vendeve dhe nuk kontribuojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ashtu siç kërkon familja e madhe e Bashkimit Europian.
“Vuçiçi tregon se nuk i kushton ndonjë rëndësi normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve me fqinjin e tij. Tonet e mprehta nga Beogradi e rëndojnë situatën gjithsesi të tensionuar mes dy vendeve. Fakti që Vuçiçi po rrit njëkohësisht bashkëpunimin me Kremlinin dhe po nuk pranon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë është diametralisht i kundërt me politikën e jashtme të BE-së. Prandaj negociatat e pranimit të Serbisë në BE duhet të ngrihen menjëherë”, tha deputetja gjermane.
Aleksandër Vuçiç fitoi mandatin e tij të dytë presidencial, pas zgjedhjeve të 3 prillit 2022 ku me dorën mbi Kushtetutën e Serbisë u betua se “do t’i kushtoj të gjitha përpjekjet për ruajtjen e sovranitetit dhe të gjithë territorit të Republikës së Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë përbërëse të saj”.
Marrëdhëniet mes BE dhe Serbisë janë tensionuar kohët e fundit pasi Beogradi zyrtar është i vendit vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën që ka nisur në Ukrainë.
/rtsh.al/