E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vuçiç me diplomatët e vendeve të QUINT-it: Lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, çojnë në dhunë kundër komunitetit serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar këtë të martë (30 maj) me ambasadorët e vendeve QUINT-e (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania), si dhe me kreun e delegacionit të Bashkimit Evropian lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Gjatë takimit, Vuçiç u shpreh se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës çojnë në dhunë kundër komunitetit serb, dhe kjo sipas tij, ndikon në paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Tërheqja e menjëhershme e kryetarëve të rrejshëm të komunave dhe pjesëtarëve të të ashtuquajturave forca speciale policore të Prishtinës është kusht për ruajtjen e paqes në Kosovë”, ka thënë Vuçiç.

Në takimin e sotëm (30 maj), morën pjesë ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç.

Po ashtu, Vuçiç, gjatë ditës, do të takohet edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.

Presidenti Vuçiç, mbrëmjen e së hënës (29 maj), i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të arsyetojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por jo me njoftime të pakuptimta pas të cilave t’i japin liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës pa formuar ZSO-në, raporton Tanjug. 

Takimet vijnë një ditë pasi protestues serbë në Zveçan, u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Serbët në veri të Kosovës protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›