E Diel, 1 Nëntor 2026

Vuçiç në Rusi për “Ditën e Fitores”, presidenti serb shpërfill qëndrimin e Brukselit: Mund të përballemi edhe me sanksione

Pavarësisht presionit të perëndimit, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, ka deklaruar se nuk e ka ndryshuar vendimin për të udhëtuar drejt Moskës, për të marrë pjesë në festën e “Ditës së Fitores” në Luftën e Dytë Botërore.

Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiç tha se do të jetë në kryeqytetin rus me një njësi të Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marrë pjesë në ceremoni.

“Nuk kam ndryshuar mendje. Jam  përgatitur që qielli të më bjerë mbi kokë. Mund ta duroj këtë qoftë një ditë, dy, tre, pesë apo më shumë, do të mbetet për t’u parë. Ne arritëm të durojmë për tre vjet e gjysmë  që kur refuzuam t’i bashkoheshim sanksioneve anti-ruse”, tha Vuçiç.

Vuçiç vuri në dukje se nuk është në dijeni se me çfarë sanksionesh mund të përballet vendi i tij pas kësaj vizite.

“Unë nuk mund të parashikoj se çfarë vendimesh  do të marrin të tjerët ose çfarë sanksionesh mund të vendosen, as nuk mund të them nëse ushtria do të jetë në gjendje t’i rezistojë këtij presioni. Këto sanksione mund të ndikojnë potencialisht në funksionalitetin e tyre operacional – nuk jam i sigurt se si do të ndikonte në gatishmërinë e tyre të përgjithshme luftarake”, tha presidenti serb.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit Perëndimor  të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të Vladimir Putinit në Moskë muajin e ardhshëm./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›