Vuçiq flet për dinarin: Do i mbështesim serbët në veri, ruajmë stabilitetin në rajon

Pas punimeve të Samitit të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (o. Vucic) foli edhe për marrëdhëniet me Kosovën.
I pyetur nga RTSH nëse Serbia do të bëjë ndonjë përpjekje për të pasur dialog me Kosovën, sa i përket ndalimit të përdorimit të dinarit në territorin e saj, z. Vuçiq sërish e quajti aktin të papërgjegjshëm dhe nuk përjashtoi mundësinë e dialogut.
“Keni dëgjuar nga ndërmjetësit tanë, nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë SHBA dhe BE që ishin kundër lëvizjeve të njëanshme të bëra nga regjimi i Kurtit në Prishtinë. Askush nuk e kuptoi pse po vepronin kështu thjesht duke thënë se ishte bërë nga e ashtuquajtura Banka Qendrore. Kjo është një lloj sjelljeje hipokrite që nuk e besoi askush. Ne shpresojmë se ata do të sillen në një mënyrë më të arsyeshmen në të ardhmen dhe do të jemi gjithmonë gati të flasim për çdo gjë, për çdo çështje. Kemi dërguar delegacionin tonë bashkë me kryenegociatorin për të diskutuar këtë, por pala e tyre nuk erdhi. Shpresojmë të gjejmë një mënyrë për ta zgjidhur, përndryshe do të sjellë probleme të mëdha për serbët që jetojnë në Kosovë. Gjithsesi ne do të gjejmë një mënyrë për t’i mbështetur, duke ruajtur stabilitetin dhe qetësinë e rajonit,” u shpreh presidenti Vuçiq.
Një ditë më parë Departamenti amerikan i Shtetit bëri thirrje që bisedimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit serb, duhet të vazhdojnë me urgjencë.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/