E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vula e PD-së, me 3 mars Gjykata e Apelit vendos nëse i takon Alibeajt apo Berishës

Me 3 mars 2023, do të zhvillohet seanca gjyqësore, lidhur me ankimimin e Partisë Demokratike, ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 me gjyqtar, Agron Zhukri, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lidhur me faktin se kujt i takon zyrtarisht vula për drejtimin dhe përfaqësimin e PD-së.

Gjykata e Apelit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se ka marrë vendimin që të marrë në shqyrtim ankimimin në fjalë, çështje e cila do të gjykohet nga një trup me 3 gjyqtarë.

“Në vijim të komunikimit, duke marrë parasysh intersimin e mediave si dhe të opinionit publik, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon se: Ankimi i Partisë Demokratike, ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 (Gjyqtar Agron Zhukri) të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është planifikuar për tu gjykuar me datë 03.03.2023, ora 11:00, trupi gjykues përbëhet nga Relatore Gjyqtare Elona Mihali, anëtar Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja”,- thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjykata e Tiranës ka pranuar rreth 1 vit më parë kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, për të ankimuar vendimin mbi regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të Rithemelimit të PD-së.

Kundër këtij vendimi u paraqit ankim nga Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Alibeaj, në datë 05.04.2022. Kërkesa ka si qëllim prishjen e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri, duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese. Vendimi i Apelit do të jetë i formës së prerë.

Përfaqësuesit ligjorë të Rithemelimit janë shprehur se Enkelejd Alibeajt nuk mund ta ankimonte vendimin e Zhukrit, duke qenë se nuk ishte palë në proces. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›