E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vunë tritol në derën e fasonerisë, arrestohet 46-vjeçari, pagoi një të mitur për të vendosur eksplozivin

Për vendosjen e një sasie tritoli në derën e fasonerisë në pronësi të një italiani, janë vënë në pranga një 46-vjeçar dhe një 16-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur më 25 maj në rrugën “Fadil Deliu”, ku nga shpërthimi i tritolit në portën e jashtme të një fasonerie pati vetëm dëme materiale.

Policia ka zbardhur ngjarjen, ku sipas saj “46-vjeçari ka paguar me 100 mijë lekë 16-vjeçarin duke e shtyrë që të vendoste sasinë e tritolit në derën e fasonerisë në pronësi të italianit R.G.”.

Në pranga përfundoi E. A., 46 vjeç dhe 16-vjeçari, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. A. 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›