E Shtunë, 31 Tetor 2026

Warlick: Statusi i Kosovës është zgjidhur

SHBA-ja ka një qëndrim shumë të fortë rreth pavarësisë dhe integritetit të Kosovës dhe beson se çështja e statusit është zgjidhur.

Kështu ka thënë ambasadorja amerikane në Beograd, Mary Warlick, në një intervistë për mediat serbe.

“Do të donim që Serbia ta gjejë rrugën që të ecë më tutje në marrëdhëniet me Kosovën dhe të fokusohet në çështjet e përditshme, si dogana, gjyqësia, dritat, që të përmirësohet cilësia e jetës së të gjithë qytetarëve të Kosovës", ka thënë Warlick, në një intervistë për gazetën beogradase “Blic”.

Warlick ka thënë se SHBA-ja konsideron se "është në interesin madhor të Serbisë, që në dritën e qëllimit të rëndësishëm të përfshirjes në BE, të gjejë rrugën që të ecë përpara në marrëdhëniet me Kosovën".

Sipas saj, është me rëndësi të ekzistojnë "kanale për bisedime" për të gjitha çështjet që ndikojnë në cilësinë e jetës në Kosovë, si dhe të ekzistojë vullneti që këto çështje të zgjidhen.

"Do të donim të shihnim që kanalet për bisedime të hapen midis EULEX-it, zyrtarëve qeveritarë dhe të tjerëve, për t'i zgjidhur çështjet më të rëndësishme", ka thënë Warlick.

Lidhur me rolin e Serbisë në rajon, ambasadorja Warlick ka deklaruar se vendet e rajonit duhet të mbështesin njëri-tjetrin për t'i realizuar aspiratat e përbashkëta.

"Serbia ka rol shumë të rëndësishëm dhe ne i ndihmojmë asaj në zgjidhjen e disa problemeve me fqinjët. Konsiderojmë se është në interesin e Serbisë dhe të vendeve të tjera në rajon, që të përkrahin njëri-tjetrin, në mënyrë që ta arrijnë qëllimin e përbashkët të hyrjes në BE dhe në organizatat euroatlantike. Konsiderojmë se Serbia mund të ndihmojë dhe të luajë rol konstruktiv në rastin e Bosnjës", ka thënë Warlick.

Në pyetjen se si e komenton faktin se ende askush nuk është dënuar për sulmin dhe djegien e ambasadës amerikan në Beograd pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ambasadorja Warlick ka thënë se kjo çështje do të jetë prioritet i saj.

"Për ne, kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Ne në Beograd dhe kolegët e mi në Uashington e inkurajojmë Qeverinë e Serbisë që t'i përfundojë hetimet për sulmin dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë. Kjo çështje do të jetë prioritet për mua", ka deklaruar ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Beograd, Mary Warlick.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›