E Diel, 1 Nëntor 2026

Westerwelle vijon takimet në Beograd, më pas viziton Prishtinën

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle,  vijon edhe sot takimet në Beograd ndërsa më vonë gjatë ditës do të vizitojë edhe Prishtinën.

Shefi i diplomacisë gjermane ka mbërritur të dielën mbrëma në Beograd, ku është pritur nga zëvendëskryeministri i parë serb, Aleksandar Vuçiç.

Dakordimi për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit është kushti kryesor për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën evropiane, ka theksuar Westerwelle.

Ministri gjerman do të takojë sot edhe presidentin Tomisllav Nikollç dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.

Më pas, Westerwelle pritet të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Marrëveshja është arritur muajin e kaluar midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësim edhe të Bashkimit Evropian.

Pas dy raundesh bisedime midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia, nuk është arritur pajtimi për planin zbatues të marrëveshjes. Palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për këtë dështim.

Gjermania ka qenë në mesin e vendeve më të zëshme të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë bërë thirrje Serbisë që të largojë strukturat e saj paralele nga veriu i Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet me shtetin e ri, nëse do që të shënojë përparime në procesin integrues.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›