“Wine & Stories” për tri ditë në Berat me kantina nga Shqipëria, Kosova e ato arbëreshe

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Berati do të mirëpresë gjatë tri ditëve Festivalin “Wine & Stories”, me pjesëmarrjen e kantinave më të mira nga Shqipëria, Kosova dhe ato arbëreshe nga Italia.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha për ATSH-në se “në edicionin e tretë të kësaj feste që nis sot, 31 tetor dhe përfundon më 2 nëntor do të marrin pjesë 41 kantina, 34 nga Shqipëria dhe Kosova e 7 arbëreshe nga Italia. Po ashtu do marrin pjesë somelierët më të mirë, do të ketë ndarje çmimesh, degustim të verërave më të shumëllojshme, panaire dhe koncerte me këngëtarët më në zë”.
Këngëtarët Alban Skënderaj, Ronela Hajati, McKresha, Lyrical Son e deri tek Eugent Bushpepa, do të performojnë në tri netët e festës në sheshin kryesor të qytetit, tek bulevardi “Republika”.
“Kushdo që do t’i bashkohet festës do të ketë mundësinë të drejtohet tek stenda e gotave dhe të vizitojnë kantinat e vendosura në shtëpizat e ngritura në qendër të Beratit, për të gjetur verën e preferuar dhe për të bërë gëzuar”, tha Merdani.
Festat lokale konsiderohen si mënyrë për të promovuar traditën dhe natyrën shqiptare dhe po organizohen në qytete të ndryshme të vendit.
/k.s/r.e/a.f/