“Xhaçka”, Spiropali: Kemi zbatuar Kushtetutën; Tabaku: Vendimet e Kushtetueses, jo diskrecion politik

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në seancën e sotme plenare sqaroi qëndrimin lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Spiropali u shpreh se ka shumë abuzim për këtë çështje në seancë, por edhe në foltore partish edhe nëpër ekrane.
“Siç është e qartë për të gjithë dhe është shprehur disa herë dhe siç e vlerëson edhe Komisioni i Venecias, Kuvendi nuk e ka vënë dhe nuk e vë në dyshim fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo s’do mend. Këtë, bashkë me parimin e luajalitetit kushtetues, e kemi të qartë të gjithë, sepse e respektojmë çdo ditë në punën tonë”, tha Spiropali.
“Iu drejtova Komisionit të Venecias me pyetje konkrete, jo për mandatin e një deputeti, që në fakt duhet të ushtrohet lirshëm brenda kufijve kushtetues, pa u shqetësuar nga abuzivizmat dhe kjo është po aq e rëndësishme në demokraci, sa çdo parim tjetër, po për të qartësuar mënyrën si zbatohet një vendim urdhërues për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon një deputeti se si të votojë”, u shpreh Spiropali.
Kjo, theksoi Kryetarja e Kuvendit, “ishte një çështje kushtetuese dhe ligjore, jo politike, jo partiake, asfare”.
“Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ka respektuar sovranitetin parlamentar duke e trajtuar këtë proces mbi akuza juridike dhe jo mbi baza interesash politike”, tha Kryeparlamentarja.
“Venecia tha dhe foli qartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese nëse Kushtetuta parashikon që një çështje shtrohet për votim parlamenti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar”, nënvizoi Spiropali.
“Nuk bëhet politikë për një vendim gjykate e aq më tepër për Opinionin e Venecias që na vjen në ndihmë për trajtimin e këtyre rasteve. Opinioni ka 61 paragrafë dhe pa shkëputur fraza dhe për të kuptuar sensin e tij tërësor duhet lexuar dhe rilexuar pa nxitim dhe me kthjelltësi, pa interesa dhe pasione politike dhe për më tepër pa paragjykime dhe shpifje”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se, “leximi në tërësi, konkluzionet e Opinionit dhe vetë deklarata e Komisionit të Venecias qartësojnë mbi pyetjet që unë i drejtova. Dhe në fakt do të kisha qenë më e lumtur që çështjen ta kishit zgjidhur brenda Shqipërisë dhe pa shkuar në Komisionin e Venecias. Kjo, sepse siç e konstatoi edhe Komisioni i Venecias, 1/5-a e deputetëve mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit sipas përcaktimeve në ligj dhe këtë të drejtë nuk duhet t’i heqë apo mohojë kush”.
“Në lidhje me kërkesën e shtruar kështu siç e paraqisni nuk mund të jetë objekt trajtimi në këtë seancë plenare. Rregullorja nuk parashikon ndonjë procedurë që mund të zbatojmë më në këtë rast siç kërkoni ju, sepse janë ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit, madje edhe votimi në Kuvend. përveçse me 1/10-ën e deputetëve ju mund t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për çdo rast dhe është e drejta juaj që 1/5-a e deputetëve, pra pakica të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese”, tha Spiropali.
Ndërsa deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Opinionet e Venecias duhen lexuar ashtu siç janë.
“Së pari, kjo çështje nuk kishte pse të shkonte në Komisionin e Venecias, sepse në këto 34 vite ka një procedurë parlamentare të qartë për sa i përket papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, tha Tabaku.
Së dyti, shtoi Tabaku, “ashtu siç thotë dhe Komisioni i Venecias, kjo çështje nuk shihet si çështje mandati të lirë pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
“Në rastin konkret, nga i cili u ngrit kjo kërkesë Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre dy vendimeve nuk duhet të kushtëzohet nga vota e shumicës parlamentare dhe kjo është e zeza mbi të bardhë e qartë”, theksoi Tabaku.
/a.f/r.e/