Xhafaj: Dokument analitik prej 700 faqesh dhe 18 kapituj për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj tha sot gjatë takimit të dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, se ky takim i dytë i nivelit të lartë organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë synon të adresojë zhvillimet në stacionin e ri ku ka mbërritur procesi për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.
“Në takimin e mëparshëm, në 11 dhjetor 2024, ne përmbyllëm fazën e parë të këtij procesi dhe prezantuam dokumentin analitik, ndërsa sot përmbyllim fazën e dytë, duke prezantuar draftplanin kombëtar të veprimit të hartuar nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtar dhe sekretariati teknik pranë tij.
Dokumenti analitik prej 700 faqesh dhe 18 kapitujsh është dokumenti i parë i këtij lloji i hartuar nga ekspertiza shqiptare që ka synuar ta analizojë situatën aktuale lidhur me tri shtylla: mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Një analizë që tregon përgjegjshmëri, kurajo dhe vullnet për të parë me sy vetëkritik situatën dhe për të rekomanduar zgjidhjet që synojnë një ritëm të ri përshpejtues drejt qëllimit tonë ambicioz Shqipëria2030 në BE, përmes një cikli të ri reformash shtetndërtuese për të qenë me meritë pjesë e familjes së madhe evropiane”, tha Xhafaj.
Sipas Xhafajt, “draft Plani Kombëtar i Veprimit për të 3 shtyllat së bashku përfshin 55 fusha tematike, me 253 masa specifike nga të cilat propozohen 75 nisma ligjore dhe 178 masa institucionale, që do të prezantohen gjerësisht në 3 panelet e dedikuara për secilën shtyllë, Mirëqeverisja, Antikorrupsioni e Sundimi i Ligjit”.
“Drafti i mbështetur fort në gjetjet e dokumentit analitik ka si kornizë udhërrëfyese rekomandimet dhe masat e dakordësuara me BE-në në kuadrin e angazhimeve të shtetit shqiptar në procesin e negociatave. Është një dokument i punuar nga Grupi i Ekspertëve të Komisionit dhe i konsultuar gjerësisht këto muaj me ekipin e negociatorëve shqiptarë, me ekspertë të fushave respektive të institucioneve të pavarura, administratës publike, shoqërinë civile dhe grupet e interesit, si dhe i është nënshtruar ekspertizës së 38 konsulentëve të huaj përfshi dhe disa nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që do të jenë pjesë e debatit në 3 tryezat e sotme”, vijoi ai.
“Anëtarësimi në BE për ne mbetet një ambicie e fortë, një objektiv strategjik kombëtar që gëzon mbështetje të lartë qytetare. Ashtu siç shprehet dhe Kryeministri Rama, anëtarësimi ynë në BE, bashkimi me atë familje të madhe është një çështje ekzistenciale. E me këtë ambicie ekzistenciale jemi duke punuar fort, shumë fort për të mundësuar Shqipërinë2030 në BE. Edhe kjo reformë si edhe reforma në drejtësi dhe shumë reforma të tjera të ndërmarra në këto vite janë prova më e mirë e ambicies sonë, për përmbushjen plotësisht e në një kohë sa më të afërt të kushteve për anëtarësim për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane, vlerat e së cilës po bëhen edhe më të rëndësishme me zhvillimet e fundit, që bota po ndeshet”, pohoi Xhafaj.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit theksoi se ky draft plan veprimi synon të nxisë një rol shumë më proaktiv të Kuvendit, të rrisë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë e tij në përmbushjen e sfidave të mëdha të integrimit dhe reformimit të mëtejshëm të vendit.
“Kam bindjen se me këtë dokument merr përgjigjen e duhur edhe ai skepticizëm apo hezitim i ndeshur në debatet e zhvilluara që në gjykimin tim e kanë bazën te kuptimi i gabuar që kanë për ndarjen e pushteteve dhe rëndësinë e ndërveprimit midis tyre dhe sidomos për rolin thelbësor kushtetues që ka Kuvendi në këtë proces”, nënvizoi ai.
“Siç e kam theksuar edhe më parë në qëndrimet publike, dhe siç Kryeministri Rama në emër edhe të maxhorancës qeverisëse, ka deklaruar në vijimësi këto kohë, neqë kishim vizionin, vullnetin, kurajon dhe përgjegjshmërinë të inicionim dhe realizonim hartimin e reformës në drejtësi, reformën historike më të madhe të ndërmarrë në historinë e shtetit shqiptar, i konsiderojmë të shenjta dhe të pandryshueshme shtyllat kushtetuese të reformimit të drejtësisë shqiptare të miratuara me projektin kushtetues të vitit 2016”, cilësoi Xhafaj.
Sipas Xhafajt, është detyrimi i kësaj mazhorance që të reflektojë mbi zbatimin e kësaj reforme në këtë periudhë 10 vjeçare.
“Me synimin jo vetëm për të vlerësuar progresin e jashtëzakonshëm të bërë, por edhe për të reflektuar në problematikat e mundshme të vërejtura gjatë zbatimit në praktikë, apo që vetë zhvillimi i procesit dikton për ndryshime për përmirësime të mëtejshme, përfshi dhe reflektimin mbi gjetjet, masat dhe rekomandimet e adresuara në progres raportin e BE-së të vitit 2024, si dhe në raportin e BE-së për shtetin e së drejtës, kapitulli për Shqipërinë etj.
Qytetarët shqiptarë vlerësojnë pozitivisht atë çfarë po dëshmon drejtësia e re, sidomos me luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pastrimin e vetë sistemit nga individë të papërshtatshëm për ushtrimin e këtij misioni si dhe një sërë hapash të tjerë pozitiv që vërehen në këtë proces”, tha Xhafaj.
/a.f//r.e/