Xhixho: Masa urgjente për kthimin e parave të mbajtura mësuesve

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, zhvilloi sot në Kuvend seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Gjatë fjalës së saj, Xhixho ngriti shqetësimin se mbi 11 mijë mësuesve në vend qeveria u ka mbajtur padrejtësisht nga paga nga 20 deri në 60 mijë lekë në muaj.
Xhixho shtoi se amendamenti i propozuar prej saj, i cili parashikonte mbulimin e efekteve financiare për të gjithë periudhën, 1 vit e gjysmë, nuk është përfshirë në projektligj.
“Dhe jo vetëm që nuk ka asnjë ndjesë për këtë gabim skandaloz, të qëllimshëm, pasi për muaj të tërë nuk i dëgjoi mësuesit, por edhe projektligji që synonte të korrigjonte këtë padrejtësi u paraqit gjysmak. Ai krijon një tjetër diskriminim në karrierën e mësuesve dhe nuk përfshin amendamentin që propozova, i cili parashikonte mbulimin e efekteve financiare edhe për një vit e gjysmë të pashlyer”, tha ajo.
Xhixho i bëri thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa urgjente për kthimin e parave të mbajtura.
“Ndaj, pyetja është: a keni ndërmend t’u ktheni mësuesve paratë që u janë mbajtur padrejtësisht për një vit e gjysmë? Sot ju kërkoj të sillni me urgjencë në Parlament amendimin e ligjit, në mënyrë që efektet financiare të zbatohen që nga momenti kur këto para u janë mbajtur me vendim qeverie. T’u ktheni 1 milion lekë çdo mësuesi”, tha ajo.
/m.q/j.p/