E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhixho: “Rinia në qendër të politikave tona, më shumë mbështetje për studentët dhe punësimin”

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, ka zhvilluar një takim me të rinjtë në kuadër të “Tryezës së Rinisë”, ku është diskutuar mbi sfidat dhe prioritetet kryesore të kësaj kategorie në Shqipëri.

Në deklaratën e saj, Xhixho falënderoi të rinjtë për pjesëmarrjen dhe angazhimin, duke theksuar se diskutimet u përqendruan te problemet kryesore si kostot e larta të studimeve, mungesa e mundësive të punësimit dhe emigracioni i të rinjve.

Ajo prezantoi gjithashtu programin politik për rininë, i cili sipas saj synon të vendosë në qendër arsimin, punësimin dhe fuqizimin ekonomik të të rinjve.

“Programi ynë parashikon më shumë mbështetje për studentët, ulje të kostove të jetesës dhe studimit, praktika profesionale, zhvillim të aftësive digjitale, mbështetje për start-up-et dhe më shumë mundësi punësimi”, u shpreh Xhixho.

Sipas saj, prioritet mbetet krijimi i kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, duke frenuar largimin masiv të tyre drejt vendeve të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›