E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Xhixho: Shqiptarët paguajnë për ushqimet më shumë se qytetarët e rajonit

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot në një deklaratë për mediet se shqiptarët paguajnë për ushqimet më shumë se qytetarët e rajonit, ndërkohë që sipas saj renditen të fundit në rajon për nivelin e të ardhurave për frymë.

Sipas deputetes së PL-së, rritja progresive e çmimit të ushqimeve i ka varfëruar shqiptarët, duke rënduar në mënyrë të veçantë te familjet me pak të ardhura dhe të pensionistët.

“Në vitin 2024, Shqipëria e kishte nivelin e çmimeve të ushqimeve të shportës që përfshin miell, vaj, oriz, qumësht, sheqer etj., sa 91% e mesatares së vendeve evropiane. Më shumë se çdo gjë tjetër, ky hendek flet për mungesën e shtetit social në Shqipëri dhe qeverisjen e korruptuar, e cila qytetarin e ka të fundit në listën e prioriteteve. Jemi të fundit në Evropë për fuqinë blerëse dhe për pagën minimale. Jemi të fundit për nivelin e pensioneve dhe skemat e ndihmës sociale. Por, jemi të parët në rajon për çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike, me të cilin qeveria u tall duke njoftuar uljen me vetëm 1 lek”, tha Xhixho.

Sipas zëvendëspresidentes së PL, shifrat e INSTAT tregojnë që rreth një milion qytetarë jetojnë në varfëri.

“Nëse marrim parasysh shifrat e censit, janë rreth 40% e shqiptarëve. Një qeveri që lë në varfëri gati gjysmën e popullit të vet është një qeveri e dështuar. Por më shumë sesa dështimin, ky është tregues i vjedhjes së parave të shqiptarëve. 60% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime, duke e kthyer në luks jetesën dhe arsimimin normal”, theksoi Xhixho. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›