E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Xibraka”, Rama: Asnjë kallëzim nga Bardhi

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim në SPAK për çështjen “Xibraka”, por ky ishte një tjetër kërcim i çingijes në prehrin e tutorit të ri lart në ballkon.

“A ju kujtohet kur thoshte “kallëzim more kallëzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallëzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallëzuar, t’i bënte kallëzim për kallëzim të rremë”, tha Rama.

“Mirëpo ja që s’paska qenë kallëzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallëzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon. Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallëzim që nuk ekziston”, shtoi ai.

Fatmirësisht, vijoi Kryeministri, “SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehrin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallëzimin e paqenë”. /m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›