E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli merr pjesë në ceremoninë “European City of Sport” në Itali

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, në cilësinë e Presidentit të Nderit të ACES Europe për Ballkanin, ishte i ftuar special në ceremoninë Gala “European City of Sport”, të zhvilluar në Sallën e Nderit të Komitetit Olimpik Italian (CONI).

Gjatë fjalës së tij, Ylli vlerësoi miqësinë e veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë vendit tonë ndër vite.

Ai theksoi rëndësinë e sportit dhe të organizatave si ACES Europe në promovimin e vlerave, traditave dhe identitetit të vendeve, duke e cilësuar sportin si një urë bashkëpunimi, miqësie dhe mirëkuptimi mes popujve.

Në ceremoninë gala morën pjesë personalitete të rëndësishme të sportit italian, europian dhe ndërkombëtar, mes tyre presidenti i ACES Europe, Gian Francesco Lupatelli, presidenti i CONI-t, Luciano Buonfiglio, komisioneri i FIGC-së dhe anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Giovanni Malagò, si dhe sekretari i përgjithshëm i Komiteteve Olimpike Europiane, Carlo Mornati.

Të pranishëm ishin gjithashtu presidenti i Komitetit Paralimpik Italian, Marco Giunio De Sanctis, zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik Turk, Bilge Donuk, si dhe presidentët e nderit të ACES, Andrey Kovatchev, Giusi Princi dhe Roberto Formigoni.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›