E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli pret koordinatorin e TİKA-s në Tiranë, diskutohet bashkëpunimi për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, priti në një takim në zyrën e tij Koordinatorin e Programit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në Tiranë, Murat Ölçenoğlu, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në projekte që mbështesin zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive në Shqipëri.

Sipas njoftimit të KOKSH-it, takimi kishte si qëllim njohjen reciproke dhe shqyrtimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta në shërbim të sportit shqiptar.

Gjatë bisedës, Ylli prezantoi arritjet e viteve të fundit, projektet strategjike dhe vizionin për zhvillimin e sportit në vend.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua projektit “Tirana Olympic City”, i cilësuar si projekti më ambicioz për krijimin e një qendre moderne sportive me standarde ndërkombëtare, që synon të transformojë infrastrukturën sportive në Shqipëri dhe të krijojë kushte më të mira për sportistët dhe brezat e rinj.

Në njoftim theksohet se TİKA, e cila vepron në më shumë se 170 vende, është një nga agjencitë kryesore të bashkëpunimit për zhvillim të Turqisë, me përvojë në zbatimin e projekteve në fusha si arsimi, kultura, shëndetësia, infrastruktura dhe sporti.

Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, e vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt nismave konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen në mbështetje të zhvillimit të sportit shqiptar.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›