E Shtunë, 31 Tetor 2026

Youtube bëhet me pagesë

Shumë shpejt, ndjekja e videove në Youtube mund të bëhet me pagesë.

Rrjeti më i madh i postimit të videove në internet, në pronësi të Google, pritet që të shpallë vendosjen e një pagese më vonë gjatë kësaj jave, për një seri videosh të kanaleve me përmbajtje të specializuar.

Sipas Financial Times, mësohet nga burime brenda Youtube, se një abonim mujor në faqe do të jetë prej 1.99 dollarë, e do të lejojë shikimin deri të 50 kanaleve të posaçëm brenda rrjetit.

Përdoruesit me pagesë, do të jenë në gjendje që të ndjekin programet e tyre televizive, filmat, dokumentarë apo këngë nga kanalet përkatëse.

Njëkohësisht, pagesa e kuotës së anëtarësimit pritet që të heqë reklamat nga videot që do të mbeten pa pagesë.

Youtube, krijuar fillimisht si një rrjet i postimit të videove, regjistroi një rritje astronomike pas dhjetorit 2011, kur futi risinë e kanaleve të hapura, e administruara nga kushdo që ka dëshirë të hapë një kanal.

Në Youtube, një faqe me mbi një miliardë ndjekës unikë në muaj dhe mbi katër miliardë klikime mujore, rendit midis partnerëve të saj zyrtarë disa prej kompanive më të mëdha mediatike apo kinematografike të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›