Yuri Kim dhe Kasanof urojnë Dumanin për shpalljen kampion kundër Korrupsionit

Zëvendës Ndihmës Sekretarja Kryesore Yuri Kim dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Alexander Kasanof iu bashkuan Sekretarit Blinken për të uruar drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme shqiptare Altin Dumani për çmimin Kampion kundër Korrupsionit.
Në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në rrjetin social “X” janë postuar edhe foto nga takimi i tyre.
“Zyrtarët në Uashington rikonfirmuan mbështetjen e fortë për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Ambasada.
Kujtojmë se ditën e djeshme, kreu i SPAK u shpall kampion nga Departamenti Amerikan i Shtetit në luftën kundër korrupsionit për vitin 2024. Ai u vlerësua, pasi si drejtues i SPAK ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë punë të jashtëzakonshme dhe duke e kthyer institucionin që drejton, më të besueshmin në Shqipëri. Ky vlerësim ju dha gjatë një ceremonie të zhvilluar në Uashington.
/a.r