E Diel, 1 Nëntor 2026

ZGJEDHJET 2025/ Doli kandidati më i votuar në Vorë e Njësinë 10, reagon Blendi Gonxhe: Kam punuar për banorët! Sherri i Nokës me qytetarët, cirk politik

Kandidati socialist në qarkun e Tiranës, Blendi Gonxhja është më i votuari në Vorë e Njësinë 10, duke numëruar 5080 vota.

Në një intervistë eksluzivisht për Vizion Plus me gazetaren Rajmonda Lajthia, Gonxhja tha se e priste këtë rezultat në Njësinë 10 dhe në Vorë.

Ai deklaroi se rezultatet kanë dalë me vonesë, teksa propozoi se do të dëshironte që së bashku me KQZ dhe me forcat politike të bënin një reformism të sistemit.

Sa i përket konfliktit të Nokës me qytetarët ditën e djeshme në Vorë, Gonxhja e quajti si një sherr artificial.

Ndërkohë për rezultatet në gjithë Shqipërinë deri më tani, ku forca e parë është PS, ai tha se e sheh si një votë tepër logjike të elektoratit, duke cilësuar se socialistët nuk kanë parë kurrë kundërshtarë në terren gjatë fushatës.

Pjesë nga intervista:

Blendi Gonxhja: Në të gjitha 5 bashkitë e qarkut ne mund të punojmë dhe kemi bërë fushatë, dhe tani presim rezultatin. Fokusi kryesor ka qenë në Njësinë 6. Procesi nuk është shumë i shkathët, është i ngadaltë. Do doja që urgjentisht me KQZ-në dhe forcat politike të bënim një reformim të këtij sistemi. Duhet të jemi në gjendje të kemi sa më shpejt rezultatin. Edhe në Vorë u pengua dhe u vonua procesi. Nuk jam i kënaqur. Jemi me përqindjen më të lartë se ajo e para 4 viteve, pra e zgjedhjeve të 2021.

Rajmonda Lajthia: Në këto dy qendra të votimit elektronik, në Vorë dhe në Njësinë 10 keni rezultuar si më i votuari. A e prisnit?

Blendi Gonxhja: Kam një histori lidhjeje me zonën e Vorës si drejtues i deleguar politik, që mbulon një numër të caktuar fshatrash. Kemi punuar më pas me ndërtimet pas tërmetit, kam qenë goxha i angazhuar. Edhe roli si koordinator politik elektoral Tiranë–Vorë në zgjedhjet e kaluara. Pra, në njëfarë mënyre e njoh zonën. Por më ka ndihmuar shumë edhe puna ime në të kaluarën. Mendoj se raporti pozitiv vjen një moment dhe shpërblehet.

Rajmonda Lajthia: Në Vorë pati edhe një konflikt mes qytetarëve dhe z. Nokës. Keni një koment për atë se çfarë ndodhi?

Blendi Gonxhja: Një sherr artificial, i mbrapshtë, që e mendojnë politikën si një cirk edhe kur është fjala për administrim zgjedhor. Sajuan një sherr me qytetarët e Vorës. Takimet e mëdha masive me shumë banorë janë të gjitha të publikuara. Unë i kam publikuar në rrjetet sociale. Nuk ka asgjë sekrete nga fushata jonë.

Rajmonda Lajthia: Ju si e lexoni këtë votë pro PS për mandatin e katërt?

Blendi Gonxhja: Unë e shoh si një votë tepër logjike të elektoratit. Njerëzit kanë një drejtim të bindur, sepse alternativa e opozitës që ka parti që nuk flasin me njëra-tjetrën, kandidatë me kauza të çuditshme, janë rryma që ne kemi bërë fushatë dhe nuk dimë kë kemi kundërshtarë. Nuk ka pasur opozitë. Këta janë gati të gjuajnë edhe njëri-tjetrin edhe në mitingun e vet. Ka një mungesë në organizimin e fushatës së tyre. Nuk ka seriozitet. Një pjesë e madhe e tyre nuk ia kanë haberin kësaj pune. Sovrani nuk gabon kollaj, është boll i mençur. Ne mund të mos jemi perfektë, por njerëzit e dallojnë diferencën.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›