ZVICËR – Zelensky: Konferenca e Paqes do të rrisë presionin ndaj Moskës

ZVICËR, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky beson se konferenca e paqes në Zvicër do të rrisë presionin ndaj Moskës, por pjesëmarrësit e tjerë të konferencës nuk ishin aq optimistë.
“Takimi dyditor i 92 shteteve dhe tetë organizatave ndërkombëtare pritet të rrisë përpjekjet e përbashkëta për të ndaluar luftën dhe krijuar besim dhe paqe”, tha sot Zelensky përpara se delegacionet të fillonin diskutimet e tyre.
“Ne kemi arritur t’i japim një shans diplomacisë”, shtoi ai.
“Qëllimet tona janë modeste”, tha presidentja zvicerane Viola Amherd, duke shpjeguar se qëllimi i konferencës ishte të frymëzonte një proces për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë.
“Rëndësia e së drejtës ndërkombëtare si bazë e rendit ndërkombëtar është thelbësore për këtë. Sulmi i Rusisë e shkel këtë në mënyrën më serioze”, tha Amherd.
Rusia nuk u ftua për të marrë pjesë në konferencë dhe Kina, një aleate e rëndësishme e Moskës, gjithashtu nuk merr pjesë.
Edhe nëse ka vetëm shpresë të kufizuar për rezultate konkrete, samiti shihet si një shenjë e rëndësishme e solidaritetit ndërkombëtar me Ukrainën.
Bëhet fjalë gjithashtu për marrjen e mbështetjes më të gjerë të mundshme ndërkombëtare për planin e paqes të Ukrainës me një tërheqje të plotë të Rusisë nga territori ukrainas.//a.i/