E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zaçaj: Mandati im përfundon ditën e fundit të 2025, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ka datë

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj e ka konsideruar si të nxituar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila nisi procedurat për zëvendësimin e saj.

Në një intervistë televizive Zaçaj tha se iu drejtua Komisionit të Venecias lidhur me afatet për përfundimin e mandatit të saj, si një organ këshillimor.

“Kam funksionin e kryetarit dhe të gjyqtarit, që është në pikëpyetje për të përfunduar. Pikërisht për këtë situatë iu drejtova Komisionit të Venecias, pasi u vura në dijeni Gjykatën e Lartë, e cila, pa pritur shpalljen e vakancës nga Kushtetuesja, nisi procedurat, si organ i emërtesës”, tha Zaçaj.

Zaçaj tha se Gjykata e Lartë nuk e ka vënë në dijeni, “por kam lexuar në media, dhe kam vërejtur se ka pasur një pritshmëri në publik se mandati im përfundon në 10 mars 2025”.

Sipas Zaçajt, kur janë hapur vakancat nga Gjykata e Lartë, ka pasur data të përcaktuara, ajo e fillimit dhe e përfundimit të mandatit.

“Neni 129 i Kushtetutës thotë se gjyqtari kushtetues e nis detyrën kur bën betimin dhe e vazhdon atë për 9 vjet”, tha Zaçaj.

Në vijim, ajo tha se “në rastin e saj, si gjyqtare dhe kryetare, problemi është krijuar se dispozita nuk ka një datë të përcaktuar, por vetëm vitin. Pra dispozita e thotë: nuk ka rëndësi kur betohesh, por mandati përfundon në 2025. Gjithashtu edhe vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ka një datë”.

“Unë do shpjegoj pse unë mendoj që mandati im mbaron në fund të 2025, sepse dispozita nuk e lidh me asnjë lloj elementi tjetër këtë gjë. Ne sipas rregullores së brendshme, sa kohë kemi vakuum ose nuk kemi një rregullim specifik në ligin tonë organik, rregullorja në lejon të shkojmë në kodin e procedurës civile dhe po të shkojmë në nenin 148 të kodit të procedurës civile është llogaritja e afateve dhe thuhet kur afatet nuk janë të llogaritur me datë ose muaj, t’i do shkosh në datën e fundit, të javës apo të vitit. Unë kështu e interpretoj këtë dispozitë. Sepse as nga praktika nuk me del. Gjithmonë në 32 vite kemi pasur data të mbartura të mandateve”, tha ndër të tjera Zaçaj.

Ajo tha se në asnjë rast mandati i një anëtari të Kushtetueses nuk ka përfunduar në datën që i ka përfunduar anëtarit paraardhës në këtë Gjykatë.

“Pra nëse Vitore Tushes i ka përfunduar mandati në datën 10 mars, kjo nuk ka qenë një datë e mbarsur nga paraardhësi i vet”, tha Zaçaj.

E pyetur në lidhje me mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, opinionin e Komisionit të Venecias dhe qëndrimin e mazhorancës për të mos e kaluar në Kushtetuese çështjen, Zaçaj tha se “vendimet e Gjykatës Kushteuese janë përfundimtare. Për të zbatuar një vendim të Kushtetueses asnjë institucion nuk mund të vendosë pikëpyetje, qoftë edhe duke iu drejtuar Venecias. Qëndrimin tonë e kemi mbajtur, kemi dy vendime. Vendimet e Kushtetueses nuk vihen në diskutim”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›